Policia Rajonale e Ferizajt ka ndëshkuar katër shoferë, të cilët janë kapur duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Sipas njoftimit të policisë, rastet kanë ndodhur më 27 dhe 28 nëntor 2026, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj.
Nga testimi i realizuar nga policia, shoferët kanë rezultuar me nivele të ndryshme të alkoolit në gjak. Rezultati më i lartë ishte 1.85 promilë.
Një 51-vjeçar, i cili drejtonte një veturë Mercedes, ka rezultuar me 1.85 promilë alkool në gjak. Ai është dënuar me 400 euro gjobë, tri pikë negative dhe nëntë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Një 42-vjeçar, me veturë VW Golf, ka rezultuar me 1.54 promilë alkool dhe është dënuar po ashtu me 400 euro gjobë, tri pikë negative dhe nëntë muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Ndërkaq, një 37-vjeçar, i cili drejtonte një veturë BMW, ka rezultuar me 0.93 promilë alkool. Atij i janë shqiptuar 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe tre muaj ndalim i drejtimit të automjetit.
Me 0.63 promilë alkool në gjak ka rezultuar edhe një 47-vjeçar, i cili drejtonte një veturë Ford. Ai është dënuar me 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe tre muaj ndalim të drejtimit të automjetit.