Ministri i Jashtëm i Greqisë ka përfunduar takimet me liderët partiak grek, të cilët i informoi rreth takimit të fundit në Vjenë me homologun e tij nga Maqedonia, Nikolla Dimitrov dhe ndërmejtësuesin e OKB-së, Metju Nimic dhe për rrjedhën e negociatave për kontestin bilateral për emrin.
Ciklin e takimeve e përfundoi me përgjegjësin për politikë të jashtme të Demokracisë së Re opozitare, Jorgos Kumucakos, parti kjo e cila njihet si më e zëshme dhe më kritike ndaj Qeverisë për sa i përket udhëheqjes së negociatave nga pala greke për këtë kontest.
Ky takim, i cili u zhvillua në Ministrinë e Jashtme greke, zgjati rreth dy orë e gjysmë, ndërsa Kumucakos pas përfundimit deklaroi shkurt se kanë zhvilluar bisedë të zgjeruar për të cilën do ta informoj liderin e partisë së tij, pa shpalosur detaje të tjera rreth takimit. Por, sot ai deklaroi se pas takimit me Kociasin është intensifikuar shqetësimi i tyre.
JORGOS KUMUCAKOS
“Pas brifingut të zotrit Kocias me opozitën për çështjen e Shkupit, shqetësimet tona intensifikohen. Demokracia e re mbetet fuqishëm në qëndrimin për nevojën e një zgjidhje komplete, gjithpërfshirëse dhe përfundimtare, e cila do t’i përgjigjet tërësisht parakushteve konkrete që i kemi parashtruar që në fillim dhe ndjeshmërisë së arsyetuar të grekëve. Pa zgjidhje të tillë, IRJM-së nuk do t’i jepet mundësi për asnjë lloj qasje të mëtutjeshëm të saj në NATO dhe BE”.
Kocias më herët kishte kërkuar të takohet me liderin e kësaj partie, Kirjakos Mucotakis, por ky i fundit kishte refuzuar dhe ka kërkuar që për çështjen e emrit të informohet nga kryeministri grek, Aleksis Cipras.
Në kuadër të takimeve të tija informuese për kontestin e emrit, Kocias u takua gjatë kësaj jave edhe me sekretarin gjeneral të Partisë Komuniste të Greqisë, Dimitris Kucubas, me liderin e partisë REKA, lideren e partisë PASOK dhe Lëvizjës për ndryshime, Fofi Genimata dhe presidentin e Lidhjes së Centralistëve, Vasilis Levendis.