Më qëllim të rritjes së bashkëpunimit mes ministrisë dhe eksperteve universitar, përkrahjes të sapo diplomuarve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj priti ne takim përfaqësuesit e universiteteve publike në Kosovë.
Ministrja Reshitaj në takim paraqiti prioritetet dhe veprimet e saj në përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, duke u nisur nga menaxhimi i duhur i mbeturinave, mbrojtja e burimeve ujore, reduktimi i ndotjes së ajrit, rehabilitimi i shtretërve të lumenjve etj.
Reshitaj deklaroi se ka iniciuar krijimin e Komitetit Këshillues të eksperteve e shoqërisë civile, ku do te marrin pjesë edhe ekspertë të mjedisit dhe planifikimit hapësinor për të marrë pjesë në hartimin e politikave zhvillimore në MMPH.
Po ashtu Reshitaj shpalosi idenë e saj për të inkuadruar të sapo diplomuarit e shkencave që lidhen me mjedisin në punë praktike brenda ministrisë, angazhimin e saj që në bashkëpunim me donatoret ndërkombëtar të sigurojë bursa studime jashtë vendit për studentet e dalluar si dhe mundësinë e përkrahjes së studimeve të tyre post-diplomike dhe doktoratave në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Nga ana tjetër rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” Fadil Millaku deklaroi se kjo është iniciativa e para që një ministër i MMPH-së ndërmerr në rritjen e bashkëpunimit mes ministrisë dhe universiteteve, me ç ‘rast propozoi që ministria të subvencionojë projektet dhe hulumtimet e studenteve të cilat sipas tij kanë mbetur në sirtarë, e ne vend të kësaj sipas tij ministria duhet ti marrë dhe t’i trajtojë këto projekte me rendësi për mjedisin.
Pro rektorja e Universitetit të Prishtinës Myrvete Badivuku tha se secili nga ne e kemi obligim të kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit dhe vlerësoi se iniciativa e ministres për inkuadrimin e eksperteve në ministri është hap i qëlluar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi.
