Mininistri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka nënshkruar një Deklaratë të Qëllimit me drejtorin ekzekutiv të ETS Global B.V., Gerben Van Lent, që kjo organizatë ndërkombëtare t’iu ofrojë studentëve të Kosovës mundësinë e certifikimit në gjuhë të huaja.
Bytyqi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se MAShT, universitetet publike dhe kolegjet private mund t’i shfrytëzojnë këto praktika të mira të organizatave ndërkombëtare, për të cilat Kosova ka shumë nevojë.
Postimi i plotë:
Bashkë me drejtorin ekzekutiv të ETS Global B.V., z. Gerben Van Lent, nënshkruam sot një Deklaratë të Qëllimit, që kjo organizatë ndërkombëtare t’iu ofrojë studentëve të Kosovës mundësinë e certifikimin në gjuhë të huaja.
Kjo Deklaratë e Qëllimit, e nënshkruar sot iu krijon mundësi studentëve për t’u certifikuar në gjuhë të huaja, duke qenë se tashmë Udhëzimi Administrativ, i obligon studentët në nivelin 3 dhe 4 të pajisen me certifikata të tilla.
Konsideroj se ky është një hap pozitiv, një mundësi që po iu krijojmë studentëve, pasi që tashmë është një lloj obligimi që të kenë një certifikatë, por përtej obligimit që vjen nga ky Udhëzim Administrativ, është edhe përfitimi që na vjen nga kjo organizatë, për shkak që ka një traditë të përpilimit dhe mbajtjes së testeve të ndryshme.
MAShT, universitetet publike dhe kolegjet private mund t’i shfrytëzojnë këto praktika të mira të organizatave ndërkombëtare, për të cilat kemi shumë nevojë.
Veçanërisht kemi nevojë që të kemi edhe ne testet standarde ndërkombëtare, jo vetëm në master dhe doktoraturë, ku janë të detyrueshme, por ndoshta do ta kemi një përkrahje edhe për testet tjera, veçanërisht për vlerësimin e performancës dhe cilësisë brenda shkollave tona.