Policia e Kosovës, përkatësisht rajoni i Ferizajt, përmes një njoftimi ka thënë se bazuar në përvojat e mëparshme por edhe në rrethanat aktuale, si pasojë e pakujdesisë të faktorit njeri, ditëve të fundit ka shumë raste të zjarreve në zonën e përgjegjësisë së DRP Ferizaj.
“Siç e dimë edhe nga vitet e kaluara, pasojat nga zjarret janë të shumëfishta, si dëmtimi i pyjeve dhe shkatërrimi apo djegia e pasurive të ndryshme. Janë këto vetëm disa nga arsyet që kanë shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë këtë veprim, me qëllim parandalimi të përhapjes së zjarreve. Mendojmë se ky angazhim do të ndikojë pozitivisht në opinion (qytetarë) për të zvogëluar apo eliminuar rrezikun nga zjarret – të vëna qëllimshëm apo nga pakujdesia”, thuhet në njoftimin e DRP-së në Ferizaj.
Policia apelon tek qytetarët që të kenë kujdes dhe mos t’i ndezin barnishtat me rastin e pastrimit të fushave si dhe të kenë parasysh shuarjen e zjarreve para largimit nga vend piknikët.
“Natyrisht, lidhur me këtë problematikë , policia tashmë është duke punuar në këtë drejtim duke i hetuar këto raste të cilat janë të sanksionuara edhe me ligj. Ndaj personave, për të cilët dokumentohet ky veprim i paligjshëm do të ndërmerren të gjitha masat e parapara ligjore. Lidhur me të gjitha këto, është e domosdoshme ndihma dhe bashkëpunimi, së pari i vet qytetarëve, institucioneve relevante, pastaj mediave e OJQ-ve të ndryshme, si dhe të përfaqësuesve të fshatrave etj”, përfundon njoftimi.