Policia e shqetësuar me numrin në rritje të rasteve të dhunës në familje

| 15 Pri 2020 | 15:34 | Nga

Policia e Kosovës po iu bën thirrje qytetarëve që qëndrimi në shtëpi të mos bëhet shkak për të rritur rastet e dhunës në familje. Sipas policisë, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë shënuar gjithsej 481 raste të dhunës në familje

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është rritur vetëdija e qytetarëve për të raportuar dhunën në familje.

“Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e PK-së, bashkëpunimi i qytetareve me policinë dhe senzibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve ndër vite, ku gjatë vitit 2017 kanë qenë të raportuara 1.269 raste, në vitin 2018 kanë qenë 1.541 dhe ne vitin 2019 kanë qenë 1.915 raste të raportuara në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë gjatë tre muajve të parë të vitit 2020 janë raportuar gjithsej 481 raste të dhunës në familje.

“Në tre mujorin e parë të këtij viti, janë evidentuar rastet si në vijim: Janar 161 raste, Shkurt 151 raste dhe në Mars 169 raste të dhunës në familje”, thuhet në njoftim.

Pasi qytetarëve po iu kërkohet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre si masë parandalimi për përhapjen e koronavirusit, policia thotë se kjo nuk duhet të bëhet shkak që të rriten rastet e dhunës në familje.

“Andaj referuar rasteve të ngritura ndër vite si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave qe gjendemi në këtë kohë pandemie, ku kërkohet qëndrimi i qytetareve ne shtëpi, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt’, thekson njoftimi i PK-së.

Po ashtu, policia ka vënë në dispozicion një numër telefoni në të cilin mund të lajmërohen rastet e dhunës në familje.

“Policia e Kosovës edhe përkundër angazhimeve shtesë këto raste i trajton me prioritet dhe bënë apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t`i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor”, thekson PK-ja.

Të ngjashme