Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka falenderuar punonjësit e pastrimit të ndërmarrjeve publike “Pastërtia” dhe “Ambienti”.
Aliu më tutje shkruan se ata kanë qenë heronjtë e këtyre ditëve.
Postimi i plotë:
FALEMINDERIT, HERONJVE TË ÇDODITSHËM TË PASTËRTISË SË QYTETIT!
Ndër më të rrezikuarit nga virusi COVID-19 ishin edhe punonjësit e mirëmbajtjes së qytetit. Sot i vizitova në vendet e tyre të punës, punonjësit dhe menaxhmentin e ndërmarrjeve publike “Pastërtia” dhe “Ambienti” të cilët i falënderova për përkushtimin që edhepse në pandemi, u kujdesën pa kursim që qyteti të jetë i pastër e i bukur.
Këta janë heronjtë e përditshëm të pastërtisë, kujdesit ndaj ambientit, rrjedhimisht shëndetit të qytetarëve, andaj nga çdo nivel i shtetit, këto ndërmarrje, meritojnë respekt e mbështetje të pafundme.
