Me anë të një mesazhi të shkurtër në Facebook, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për situatën me koronavirus duke theksuar se të gjithë duhet të bëjmë kujdes, pasi në tri ditët e fundit ka pasur më shumë shtrime në spital se në kulmin e pandemisë.
Ai u shpreh se nëse nuk bëjnë të gjithë kujdes duke respektuar masat, atëherë situata mund ta imponojë kthimin nga fillimi.
“Jam i shqetësuar dhe dua që ta dini që nuk kam ndërmend të bëj sehir, që shumëkush e ka harruar armikun e padukshëm. Prej tri ditësh, kemi më shumë shtrime në spital sesa në kulmin e pandemisë. Nuk dua ta bëjmë me të keq këtë. Nuk kam ndryshuar mendim. Ekonomia bie dhe ringrihet, të vdekurit nuk ringjallen”.
“Nuk dua as ta mendoj dhe të rikthehej fjalën karantinë përsëri, por nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje dhe nëse numrat vazhdojnë të shtohen, atëherë me keqardhje dhe realisht nuk do të kemi se çfarë të bëjmë dhe do të duhet të rifillojmë nga e para. Prandaj ju lutem, e kemi vet në dorë, secili prej nesh e ka në dorë që të bëjë gjënë e duhur të shikojmë përpara dhe të ringrihemi shpejt”, ka deklaruar ai./ A2 CNN