Thaçi: Maqedonia e Veriut në ngërç të çuditshëm politik – zgjedhjet nuk janë më të rrezikshme sesa shkuarja në market

| 15 Qer 2020 | 18:28 | Nga

Kryetari i PDSH-së, në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi ka thënë se është shqetësuese gjendja e krijuar nga koronavirusi atje por që duhet të mësohen me jetën në situatë pandemike.

Megjithatë ai thotë se e kanë vlerësuar mbajtjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht numrit të lartë të të prekurve me Covid-19 dhe rrezikut që mund të përbënte grumbullimi, njofton Klan Kosova.

”Kemi dy javë që numri i rasteve është shqetësues”.

”Është e qartë që luftën me virusin do ta kemi shumë të gjatë”.

”Ndoshta dy vite dhe për këtë arsye kemi vlerësuar se do ta vazhdojmë jetën, duhet ta vazhdojmë luftën dhe duhet t’i respektojmë masat”.

”Maqedonia në qeverisje është në një ngërç të çuditshëm politik. Sepse ne ishim marrë vesh që të funksiononte qeveria teknike ku bënte pjesë edhe opozita. Dhe në këso qeverisje si ajo teknike, brenda e keni edhe miun edhe macen, dhe ajo bëhet shpesh herë jofunksionale”.

”Unë bëjë pjesë tek ata liderë që duan sa më shpejtë të kemi zgjedhje. Nuk kemi shpresa që kjo situatë pandemike të përfundojë në gusht, apo tetor. Qeverisja është ajo që e ka përgjegjësinë e vërtetë dhe është përgjegjëse për menaxhimin e situatave të tilla”.

”Por kur qeverinë e kemi jofunksionale, sidomos në kohë të pandemisë, mund të presim që situata vetëm të komplikohet”.

Thaçi në Info Magazinën e Klan Kosovës tregoi dhe si do të zhvillohet i gjithë procesi i këtyre zgjedhjeve të parakohshme.

”Ne kemi miratuar protokoll të komisionit që merret me sëmundjet ngjitëse, dhe ai është strikt i pjesëmarrjes në zgjedhje, i organizimit të fushatës, etj”.

”Nëse nuk respektohen në jetën e përditshme do të respektohen në ditën e zgjedhjeve”.

”Asnjë rrezik të madh nuk ka mbajtja e zgjedhjeve sesa shkuarja në market. Shkuarja në market mund të shkelen rregullat por zgjedhjet kur mbahen nuk mund të futen më shumë se dy persona”.

”Ka pasur bisedime e dialog ku ka ndërmjetësuar Bashkësia Ndërkombëtare. 15 korriku, nuk besoj që do të ndryshojë. Sepse brenda kësaj jave Maqedonia e Veriut do ta arrijë këtë pikun e dytë”.

”Një pjesë e madhe e qytetarëve tanë, i shoh në mahallë, pjesë më e madhe që e kanë pasur dilemën e ekzistencës së virusit ose jo, tashmë kanë filluar ta besojnë që ka”.

”Do të ketë fushatë në bazë të protokollit, do të respektohet distanca e pjesëmarrësve në tubim. Do të ketë një kontroll të situatës sepse do të ketë monitorim të jashtëzakonshëm të medieve”.

”Jam optimist, sepse më së miri që do të respektohen masat, do të jetë koha e fushatës. Besoj që asnjë prej liderëve apo forcave politike, nuk do t’i interesonte të merrte përgjegjësinë për thyerje rregullash”.

”Si mjek që jam, ndonëse duket e tepruar, por jeta pas këtij virusi, tashmë do të jetë më ndryshe se sa më parë”.

Të ngjashme