Zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen së shpejti mund ta kthejnë Fatmir Limajn në partinë amë. Gazeta Express ka pyetur brenda PDK’së dhe Nismës për mundësinë që këto të dyja të hyjnë në zgjedhje brenda një liste zgjedhore.
Deklaratat e fundit nga zyrtarë të lartë të Nismës kanë lënë të kuptojnë për një afërsi mes Limajt e PDK’së.
Vetë kryetari i partisë, Fatmir Limaj, në ka thënë javën e kaluar në Pressing se “Një koalicion i tillë, PDK-Nisma, do të luftonte për vend të parë”.
Në anën tjetër, ditë më parë, Bilall Sherifi nga radhët e Nismës deklaroi se partia i ka nisur kontaktet me PDK’në.
“Z. Limaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me PDK-në, nuk e di nivelet e tjera në PDK a janë të njoftuara. Me z.Mustafa gjithashtu dhe vendimi përfundimtar do të merret në ditët në vijim. Këto janë tri opsione që kemi në tavolinë’, theksoi Sherifi.
Tani, vendi zyrtarisht do të shkojë në zgjedhje dhe pritet vetëm shpallja e tyre.
Shefi i grupit parlamentar të Nismës, Endrit Shala, ka bërë të ditur se partia ende nuk ka marrë vendim për ndonjë koalicion parazgjedhor.
“Ende nuk e kemi marrë vendimin si parti se a do të kemi koalicion parazgjedhor apo do të garojmë të vetëm” ka thene Shala
Partia Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së kryesisë, të mbajtur ditën e djeshme, ka vendosur që Hoxhaj të jetë bartës i listës dhe kandidat për shef të qeverisë në zgjedhjet e ardhshme, në mungesë të kryetarit Kadri Veseli, i cili është arrestuar, pasi Prokuroria Speciale e Hagës i ka ngritur aktakuzë për krime lufte.
Hoxhaj e ka në dorë atë se me kë shkon partia e tij në zgjedhje. Kështu thotë zyrtari i lartë i PDK’së, Elmi Recica.
Deputeti nga radhët e PDK-së, në një prononcim tregoi që Partia Demokratike e Kosovës ia ka besuar të gjitha kompetencat kandidatit për Kryeministër.
“Në si parti kemi marrë vendim që të gjitha kompetencat për zgjedhjet e ardhshme ia kemi besuar z.Hoxhaj”, tha Reçica
Bashkëpunimi i fundit mes PDK’së e Nismës ka qenë para zgjedhjeve të vitit 2017, kur ato hynë nën ombrellën e PAN’it bashkë me AAK’në dhe i fituan zgjedhjet.
Para PAN’it, Limaj ishte larguar nga PDK’ja nga paknaqësitë që kishte aty, për ta themeluar partinë e tij bashkë me një prej themeluesve të PDK’së, Jakup Krasniqin.
Nisma Socialdemokrate gjatë zgjedhjeve të kaluara nacionale ishte në koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe me Partinë e Drejtësisë, të cilët së bashku kishin arritur që pas shumë vështirësive ta kalonin pragun zgjedhor dhe të hynin në Kuvend.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me një vendim të publikuar më 21 dhjetor, e rrëzoi Qeverinë e Avdullah Hotit, pasi konsideroi se ajo është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi deputeti Etem Arifi votoi pro saj, edhe pse ishte i dënuar me burg.
Zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen brenda 40 ditësh, prej ditës kur do të shpallen nga ushtruesja e detyrës së Presidentit.