A i ndihmoi lufta shoqëritë të bëheshin më të mëdha dhe më komplekse?

Prishtinë | 28 Kor 2022 | 21:00 | Nga Tim Brinkhof

Rreth 10.000 vjet më parë, qytetërimi ynë nisi të zhvillohej me një ritëm eksponencial.Shpeshherë studiuesit e kanë shpjeguar këtë rritje përmes 2 teorive të mëdha. Njëra fokusohet tekbujqësia dhe tjetra tek konflikti. Këtë vit, studiuesit analizuan statistikat e perandorive të lashta,për të përcaktuar se cila nga të dyja ishte më e rëndësishme.

Nëse do të studionit zhvillimin e qytetërimit njerëzor – i përcaktuar nga madhësia e popullsisë, si dhe prodhimi ekonomik dhe kulturor, midis faktorëve të tjerë – do të zbuloni se zhvillimi nuk është linear, por eksponencial. Për dhjetëra mijëra vjet, njerëzit jetuan në të njëjtën organizatë shoqërore bazë.

Por më pas, rreth 10.000 vjet më parë, gjithçka ndryshoi:në një periudhë të vogël kohore, gjuetarët-mbledhës u vendosën nëpër fshatra. Më pas këto të fundit u shndërruan në qytete, qytetet në mbretëri, dhe mbretëritë në shtetet-kombe.

Studiuesit e disiplinave të ndryshme akademike – përfshirë historinë, ekonominë dhe sociologjinë– kanë kërkuar prej kohësh shkakun rrënjësor të këtij zhvillimi. Aktualisht, ato ndahen midis dy teorive: njëra funksionaliste, dhe tjetra e bazuar tek konflikti.

Teoria funksionaliste, e cila u shfaq në vitet 1960, fokusohet në aftësinë e një shoqërie për të përballur sfidat organizative, sikurse është ofrimi i të mirave publike. Sipas kësaj teorie, tregtia, kujdesi shëndetësor, sistemet ujitëse dhe mbi të gjitha bujqësia, ishin faktorët kryesorë që e lejuan qytetërimin të evoluonte në formën e tij aktuale.

Teoria e konfliktit, e cila është shumë më e vjetër se ajo funksionaliste, ka një qasje të ndryshme. Sipas saj zhvillimi nuk ka të bëjë me aftësinë e një shoqërie për të zgjidhur problemet që lidhen me furnizimin me ushqim dhe shëndetin publik, por aftësinë e tij për t’u përballur me kërcënimet e brendshme dhe të jashtme në formën e luftës së klasave apo të luftës në përgjithësi.

Teoria e konfliktit bazohet tek biologjia. Ashtu si evolucioni i specieve shtazore që diktohet nga grabitqarët, edhe zhvillimi sociologjik i çdo shoqërie të caktuar, mbahet nën kontroll nga fuqia ushtarake e armiqve të saj më të afërt. Ndërsa studiuesit e shohin bujqësinë si vendimtare për zhvillimin sociologjik, ata shpesh nuk dinë se çfarë të thonë me luftën.

“Shumica e arkeologëve janë kundër teorisë së luftës. Askush nuk e pëlqen këtë ide të shëmtuar. Pasi nuk ka asnjë dyshim që lufta është diçka e tmerrshme, dhe ne nuk na pëlqen të mendojmë seajo mund të ketë ndonjë efekt pozitiv”-  thotë Piter Turçin, antropolog evolucionar në Universitetin e Konektikat, SHBA.

Vetë Turçin e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij duke hulumtuar rëndësinë historike që ka pasur lufta në zhvillimin e njerëzimit, përfshirë teknologjinë ushtarake. Në fillim të këtij viti, Turçin bëri bashkë një ekip ndërkombëtar studiuesish për të gjetur faktorët më të rëndësishëm në ngritjen e perandorive më të vjetra të botës.

Rezultatet e studimit të tyre, të botuara në revistën akademike “Science Advances” më 24 qershor, sugjerojnë se lufta – dhe sidomos përdorimi i kalorësisë dhe i armëve prej hekuri – ishte po aq, në mos më i rëndësishëm sesa bujqësia. Ky përfundim godet fort teorinë funksionalist, megjithëse jo të gjithë janë të bindur.

Zakonisht, origjina dhe qëllimi i luftës, janë studiuar nga artistë dhe filozofë. Pra nga njerëz që punojnë përmes përvojës dhe logjikës. Ndërkohë Turçin preferon të përdorë të dhënat, të papërpunuara, konkrete dhe empirike. Të dhënat për këtë studim u nxorën nga “Seshat:Global History Databank”, një burim dixhital që përpilon të dhënat numerike nga më shumë se 400 shoqëri njerëzore. Ato variojnë nga detajet bazë, si madhësia e popullsisë dhe prodhimi bujqësor, deri tek metrika shumë specifike, si për shembull nëse shoqëria në fjalë punësonte burokratë me kohë të plotë.

Turçin dhe ekipi i tij ndërtuan një analizë statistikore të ndërlikuar por shumë të drejtpërdrejtë. Ata zgjodhën kompleksitetin social (të përcaktuar nga madhësia e popullsisë, hierarkia sociale dhe specializimi i qeverisjes) si variablin e tyre të varur, dhe testuan lidhjen e tij me 17 variabla të pavarur.

Një nga këto variabla ishte ofrimi i të mirave publike, të cilat nga ana e tyre u grumbulluan nga variabla të tjerë edhe më të vegjël, si prania ose mungesa e sistemeve të furnizimit me ujë, urave dhe vendeve të depozitimit të mbetjeve. Disa nga variablat e pavarur, si ai i përshkruar më sipër, u formuluan për të testuar hipotezën funksionaliste.

Të tjerët, si sofistikimi dhe shumëllojshmëria e teknologjive ushtarake të përdorura nga një shoqëri, vlerësojnë teorinë e konfliktit. Një variabël tjetër i lidhur me konfliktin, është shumëllojshmëria dhe sofistikimi i mjeteve të një shoqërie për t’u mbrojtur, të përcaktuara nga sasia e burimeve të investuara në gjëra të tilla si armët dhe forcat e blinduara.

U zbulua se 2 variabla kishin një lidhje veçanërisht të fortë me kompleksitetin social. Sa më gjatë që një shoqëri të merrej me bujqësinë, aq më shumë gjasa kishte që ajo të bëhej komplekse nëaspektin social. E njëjta gjë vlente edhe për teknologjinë ushtarake, veçanërisht përdorimin e armëve luftarake të montuara dhe prej hekuri.

Historianët kishin dyshuar për këtë prej kohësh, por tani fjalët e tyre përforcohen nga statistikat. Sipas studimit të Turçin, kalorësia e rriti madhësinë maksimale të qytetërimeve me një rend të madhësisë, nga 100.000 në 3.000.000 km2. Ky model shfaqet në të gjithë botën, dhe madje përsëritet në disa momente të historisë.

Kur kolonizatorët spanjollë çuan kuaj në Amerikën e Veriut gjatë shekullit XVI-të, madhësia mesatare e qytetërimeve vendase amerikane u rrit, ashtu siç kishte ndodhur në Euroazi shekuj më parë. Midis këtyre qytetërimeve më kryesori ishte Perandoria Komançe, e cila sundonte mbi Rrafshinat e Mëdha, si dhe disa pjesë të Teksasit dhe Meksikës.

Por në dallim nga Euroazia, i ashtuquajturi “revolucion i kalorësisë” nuk u realizua plotësisht,pasi u tejkalua nga një tjetër risi teknologjike:baruti. Ndërsa studimi i Turçin ka tërhequr shumëvëmendje nga komuniteti i studiuesve, jo të gjithë janë njëlloj të bindur me tezën e tij.

Uilliam Tejlor, antropolog në Universitetin e Kolorados, bie dakord se kuajt ishin “një agjent i ndryshimit shoqëror”. Por ai thotë se arkeologët janë ende të pasigurt se kur njerëzit nisën t’ishalonin ata, ndaj variabli mund të prodhojë një diferencë të madhe gabimi kur përdoret për qytetërimet e së kaluarës së largët.

Mbi të gjitha, modeli statistikor i Turçin nuk është i pagabueshëm. Për shembull variablat e tij të lidhura me konfliktin, nuk arrijnë të shpjegojnë ngritjen e Perandorisë Inkase, e cila arriti të përfshijë një territor të madh dhe strukturë të komplikuar qeveritare, pavarësisht se nuk kishte as armë prej hekuri dhe as kuaj.

Megjithatë, ata kishin arritur të zbutnin një kafshë që e përdornin për transport dhe që ishte e ngjashme me lamat. Historianët mendojnë se kjo mund t’u ketë dhënë inkasve një avantazh ndaj shoqërive të tjera në Amerikën e Jugut, duke i lejuar ata të bëheshin po aq të mëdhenj dhe të begatë sa ata. / “Big Think” 

Të ngjashme