A ishte Albin Kurti pjesë e UÇK-së, flet ish-komandanti i Koshares

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i Koshares, Hisen Berisha është deklaruar rreth deklaratës së komandantit të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, se Albin Kurtin e ka pasur bashkëluftëtarë. Ai tha se nuk ka informacione se Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së, teksa tha se Kurti ditëve në vijim duhet të tregojë mbështetjen qe e ka për FSK-në.

Ish-ushtaraku, Hisen Berisha ka thënë në emisionin “Frontal” në T7 se mbajtja e armës është dëshirë dhe virtyt i secilit. Këtë deklaratë ai e dha teksa u pyet për raportin e kryeministrit Albin Kurti me armën.

Kurti u pa sot duke vështruar armët e FSK-së, gjatë një operacioni në Gjakovë, në kuadër të “Defender Europe 2021”.

“Dëshira për ta pasur dhe për ta pasur armën është dëshirë dhe virtyt i secilit. Unë nuk e gjykoj z.Kurtin nga mosdëshira për ta pasur armën. Refuzimi ta kesh armën apo jo atëherë kur kombi yt, vendi yt pret që ti t’i dalësh zot edhe me armë, krahas penës , si komandant Agim Ramadani, Sali Çekaj që kanë qenë njerëz intelektual, por edhe ne të gjallët që jemi e nuk jemi më pak të kualifikuar dhe intelektual ka qenë momenti qe e kemi marrë edhe armën”, ka thënë Berisha.

Ndër të tjera, komandanti i Koshares tha se me aq sa ka informacione ai, Kurti nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Ajo çfarë ka thënë z.Remi se e ka pasur bashkëluftëtarë. Tash njëri duhet ta demantojë tjetrin. Remi-Hashim Thaçin, apo Thaçi-Remin. Unë nuk dua që të spekulojë me këto tema sepse nuk e di se ku ka qenë i angazhuar z.Kurti. Se kam takuar në atë zonë, por nga qëndrimet e tij dihet se nuk ka qenë pjesë e uniformës. Ai ka qenë pjesë e një zyre që e ka udhëhequr simboli i rezistencës sonë, Adem Demaçi. Ka qenë në cilësinë e zëvendësitë të tij”, ka thënë ai.

Më tutje Berisha, tha se Kurtit në ditët në vijim do ta tregojë mbështetjen që e ka për ushtrinë e Kosovës.

“Ditët në vazhdim do të tregojnë se sa z.Kurti do të jetë në nivel që ta përmbush atë hendek që e ka të fushës ushtarake duke e mbështetur ushtrinë që të ecë përpara”, deklaroi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme