Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinaj dhe Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.
Këto dy parti do të garojnë me një listë të përbashkët për deputetë, në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të tetorit. Bartës i listës do të jetë kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, kurse i dyti, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Marrëveshja u nënshkrua në zyrat e PSD-së, pasi ajo u përkrah formalisht nga organet drejtuese të partisë, raporton Ekonomia Online.
“Ne me kaq nuk i përfundojmë negociatat – bashkë me AAK-në do t’i vazhdojmë diskutimet me partitë e tjera për zgjerimin e koalicionit”, ka thënë Shpend Ahmeti, në një konferencë të përbashkët shtypi.
“Pas negociatave që kemi pasur mes dy subjekteve tona kemi arritur marrëveshje që për zgjedhjet e ardhshme të garojmë së bashku. Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor, duke i marr parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasur në vitet e kaluara por që janë zgjeruar në fusha tjera që ne do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeverisës”, ka thënë ai.
Ahmeti ka përmendur disa nga kërkesat e programit të përbashkët.
“Ka pasur spekulime që PSD po hyn në Qeveri, që po e zëvendësojmë AAK-në. Por ne iu kemi thënë që ne nuk do të zëvendësojmë një parti apo tjetër dhe se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja. Ne sot po i bashkojmë forcat dhe synim kryesor e kemi t’i fitojmë zgjedhjet me një program qeverisës. Në këtë program i kemi vendosur disa kërkesa të cilat kanë qenë të drejtuara duke marr parasysh qëndrimet e ndryshme. PSD lufton për pagën minimale, për të drejtat e punëtorëve që i kemi vendosur si prioritet. Kemi diskutuar për zhvillim ekonomik, po ashtu intensifikimin në luftën kundër korrupsionin, si dhe synimi në integrimet euroatlantike”, ka thënë ai.
Sipas tij bartës i listës do të jetë i pari i AAK-së.
“Sot është arritur boshti i koalicionit me AAK-në. Bartës i kësaj liste do të jetë zoti Haradinaj. Me këtë ne nuk e mbyllim procesin e koalicioneve parazgjedhore. Ne do të kontaktojmë edhe me subjekte tjera në mënyrë që ta zgjerojmë koalicionin fitues”, ka theksuar ai.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se deri te koalicioni erdhi pasi që u panë qëllimet në programet e të dy partive, para zgjedhjeve.
“Kjo punë ka pas për bazë qëllimet programore të PSD-së po edhe të AAK-së dhe kemi arrit të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti, dhe po ashtu procesin më të mirë më tutje për aspektin programor, kemi mbërri me zgjedhë edhe të gjitha pyetjet që na presin”, tha kreu i AAK-së, e kryeministri në dorëheqje, derisa, sipas tij, tani janë më të përgatitur për zgjedhjet e reja.
“Them me përgjegjësinë më të madhe, se ky koalicion parazgjedhor që është i pari e falënderoj kryetarin Shpendin dhe PSD-në për besim, mendoj që sot jemi më të përgatitur me i marrë përgjegjësitë parazgjedhjeve”, shtoi tutje.
Haradinaj ka përmendur edhe seancën për votimin e ushtrisë, derisa, sipas tij, atëherë PSD-ja kishte qenë ajo që e kishte vulosur krijimin e saj duke dhënë votat pro.
“Ne nuk kemi treguar asnjë neglizhencë, më kujtohet koha e votimit për ushtrinë e Kosovës, në atë kohë lista serbe u largua prej qeverisë, dhe ua kujtoj qytetarëve të vendit që ishte PSD-ja që e votoi ushtrinë”, shtoi.
Sipas Haradinajt, AAK-ja është e hapur për bashkëpunim edhe me disa parti, si NISMA e AKR.
“Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismës, me AKR-në, me do parti që kemi një komunikim të ndërsjelltë, nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3 nuk jemi pjesë e ndonjë skenari për ndonjë PAN të ri. Jemi poashtu që subjektet tjera politike që kanë pikpamjet e veta t’i dëgjojmë. Por, ajo që po bojmë ne nuk po presim prej askujt, ne po krijojmë boshtin e fitores për këto zgjedhje, një bosht që po krijojmë boshtin e fitores”, ka shtuar ai.
Haradinaj nuk ka dashur të komentoj deklaratat e Limajt se Kosovës i duhet një Qeveri e punës.
“Qeveria që kam udhëheq ka defektet e veta, por është e punës, shpreh falënderim edhe për nismën unë mendoj që ka vend për bashkëpunimin AAK-PSD dhe Nisma, por edhe AKR pse jo, kjo deklarime i shoh deklarata të zgjedhjeve. Nesër do ta takoj z. Limaj, ne nuk po bëjmë asgjë fshehtas dhe s’jemi kundër komunikimit”, tha Haradinaj.
Kësaj marrëveshje i paraprinë mbajtja e mbledhjeve të Këshilleve Drejtuese të dy partive gjatë ditës.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në selinë e PSD-së.
Gjatë ditës pati takime të liderëve të partive LDK, NISMA, PSD, takime këto që po mbahen para seancës që pritet të mbahet më 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj.