Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar për raportimet për cilësinë e ujit nga Liqeni i Badocit.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se kjo situatë përbën një rrezik të madh për shëndetin publik dhe kërkon veprime të menjëhershme për të shmangur dëmtime të mëtejshme.
“Ndërkohë, trajtimi i ujit në fabrikën e Badovcit vazhdon të mbetet i papërmirësuar, sidomos lidhur me problemin e manganit. Mungesa e planifikimit dhe investimeve adekuate ka kontribuar në mosmenaxhimin e kësaj krize, pasi nuk janë kryer investimet e nevojshme për të shmangur përsëritjen e problemeve të tilla”.
“Në përpjekje për të përballuar këtë situatë, KRU Prishtina ka filluar të shpërndajë ujë përmes auto cisternave në disa lagje, një masë që zakonisht ndërmerret në raste emergjente. Megjithatë, për shumë banorë, sidomos për ata që jetojnë në apartamente, kjo ka krijuar një situatë të vështirë. Banorët detyrohen të përshtatin jetën e tyre përreth orareve të shpërndarjes së ujit, duke përjetuar stres dhe shqetësime të vazhdueshme. Përballja e përditshme me sfidën e bartjes së ujit dhe mungesën e furnizimit të qëndrueshëm krijon edhe pasiguri për shëndetin publik, pasi mungesa e furnizimit me ujë të pastër për konsum dhe higjienë mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Disa pyetje që AAK-ja kërkon përgjigje janë:
– Pse KRU Prishtina nuk ka ndërmarrë masa për përmirësimin e trajtimit të ujit, kur ky problem është i njohur dhe përsëritet çdo vit?
– Cili ka qenë roli i Qeverisë së Kosovës, e cila vazhdimisht ka trumbetuar se tani ndërmarrjet publike menaxhohen nga borde dhe menaxhmente profesionale?
– Cili ka qenë roli i ARRU-së, si autoritet rregullator dhe I pavarur, për të parandaluar dhe mos lejuar përsëritjen e këtij problemi?