AAK pret bashkëpunim për amandamentet lidhur me buxhetin 2026

Prishtinë | 20 Shk 2026 | 12:10 | Nga Drita Dërmaku

Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën për leximin e dytë të buxhetit për vitin 2026 ka thënë se pret bashkëpunim me qeverinë, përndryshe do të jetë mashtrim nga ana e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Për buxhetin kemi folur në seancën e kaluar dhe nuk dua të ndalem këtu, mirëpo qytetarëve të Kosovës duhet t’ju them dy porosi që i ka Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. E para, ashtu siç u kam thënë në seancën e diskutimit në lexim të parë për këtë buxhet, ky është buxhet i cili është përgatitur në tetor dhe ky buxhet është provizor. Kështu është thënë prej kryeministrit, kështu është thënë prej ministrit të Financave dhe zotimi i qeverisë është se pas dy muajve apo pak muajsh do të ndodhë një rishikim i madh, i rëndësishëm për këtë buxhet”, tha ai.

Tahiri tha se pret reagimin e qeverisë dhe nëse do të ketë përkrahje për buxhetin.

“Mbi këtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në kuadër të 86 amendamenteve që ky Kuvend i ka bërë në Komisionin për Buxhet, nga ato i kemi 14 amendamente, për shkak se s’ka logjikë një buxhet i cili hyn në këtë vit të mos ketë asnjë amendament. Amendamentet janë kryesisht të lidhura me sektorin e sigurisë, ato që synojnë të mbështesin policinë, ushtrinë, disa investime kapitale që lidhen me komunat ku ne udhëheqim, si dhe projektin e autostradës së Dukagjinit. Ne do të presim cili do të jetë reagimi i qeverisë, respektivisht i juaj, i shumicës, për amendamentet. Në qoftë se edhe kësaj radhe ju do të kaloni në seancë pa asnjë amendament të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, atëherë leximi i parë dhe procesi i shkurtimit të afateve për diskutimin e amendamenteve që i kemi bërë në seancë ka qenë një mashtrim optik. Por ne do të jemi këtu, do t’i lexojmë amendamentet tona dhe do të shohim a do të marrin apo jo mbështetje. Dhe në qoftë se e kemi bërë një ushtrim sa për sy e faqe, sa për të kaluar një buxhet, atëherë kjo pa asnjë dyshim është një goditje e madhe që i bëhet edhe Kosovës, edhe programeve investive, qeverisë dhe vetë funksionimit të saj, për shkak se po kalojmë një buxhet që është miratuar në tetor, formalisht në shkurt, dhe tash po e miratojmë për disa muaj”, theksoi ai.

Të ngjashme