Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, kanë vizituar dy biznese vendore, Fabrika e Ujit Dea dhe EuroFisi, të cilat Abdixhiku i ka cilësuar si histori suksesi të prodhimit vendor.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se të dy kompanitë dëshmojnë potencialin e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe eksport.
“Vizituam dhe dy biznese të tjera, Fabrikën e Ujit Dea dhe EuroFisi, dy histori të punës, prodhimit dhe suksesit vendor”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka vlerësuar suksesin e kompanive vendore që, sipas tij, kanë arritur të depërtojnë në tregje ndërkombëtare dhe të ndërtojnë emër në rajon.
“Nga një fabrikë që sot eksporton dhe furnizon tregje e institucione ndërkombëtare, tek një kompani familjare e kthyer në një prej prodhuesve lider në rajon; të dyja dëshmojnë se Kosova ka njerëz të zotë, punëtorë e vizionarë që krijojnë vlerë çdo ditë”, ka deklaruar ai.
Lumir Abdixhiku ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet ekonominë e bazuar në sipërmarrje dhe prodhim vendor, duke premtuar mbështetje për bizneset kosovare.
“Si parti e qendrës së djathtë, LDK beson tek ekonomia e ndërtuar mbi punën, sipërmarrjen dhe prodhimin vendor. Do të jemi partnerë të bizneseve kosovare, për më shumë prodhim, më shumë eksport, më shumë vende pune e më pak pengesa burokratike”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka theksuar se zhvillimi ekonomik lidhet drejtpërdrejt me forcimin e prodhimit vendor.
“Sepse një Kosovë që prodhon, është një Kosovë që zhvillohet”, ka shtuar ai.