Abdixhiku: Është obligim i secilit që të punojmë për Kosovën, kështu nderojmë familjen Jashari

Prishtinë | 05 Mar 2024 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari.

Përmes një postimi të faqes zyrtare në Facebook, Abidixhiku ka thënë së i kujton me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat, siç i ka quajtur ai, më të mirët e kombit, që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e shtetit të Kosovës.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri. Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”, tha Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se është obligim i secilit që të punojnë për forcimin dhe avancimin e Kosovës, sepse siç thotë ai, në këtë mënyrë nderohen familja Jashari dhe të gjithë të rënët për lirinë e vendit.

“Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, shkroi Abdixhiku.

Të ngjashme