Abdixhiku: LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk do të përkrahë asnjë kandidat për president pa një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet subjekteve parlamentare.

Në një përgjigje për KOHA, Abdixhiku tha se emrat për postin e presidentit nuk duhet t’u imponohen deputetëve dhe se konsensusi është i domosdoshëm për zgjedhjen e udhëheqësit të shtetit.

“Kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus. Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shtoi se zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet përmes presionit politik.

“Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet me logjikë force, por vetëm me logjikë konsensusi. Në këtë fazë, Kosova nuk ka luksin të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë”, u shpreh kreu i LDK-së.

Sipas tij, vendit i nevojitet stabilitet institucional dhe funksionim normal i institucioneve për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme.

“Vendit i duhen stabilitet institucional, qetësi politike dhe institucione funksionale”, tha ai.

Ai theksoi se partitë parlamentare duhet të gjejnë një figurë unifikuese.

“Tetëdhjetë deputetë duhet të gjejnë dhe të zgjedhin një figurë konsensuale që ruan integritetin kushtetues, rikthen besimin mes subjekteve parlamentare dhe nuk shihet si palë politike, por si figurë unifikuese e shtetit”, tha Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces serioz ndërpartiak për ndërtimin e këtij konsensusi.

Të ngjashme