Abdixhiku: Ndalesa e Vuçiqit në Drenicë e “lejimi” në Veri vendos kufijtë e rinj

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 12:25 | Nga

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar ndalimin që i është bërë nga Qeveria e Kosovës presidentit serb, Aleksander Vuçiq për ta vizituar zonën e Drenicës.

Sipas Abdixhikut, Vuçiq po cakton kufinj të rinj në territorin e Kosovës.

“Ndalojnë vizitë, e lejojnë atë. E ndalojnë sërish – por tashmë veçse pjesërisht. Presidenti i një vendi armik pasi ka caktuar kufinj të rinj; pasi ka folur për resurset e Kosovës sikur ishin të tij; është ndaluar – në i thënshin ashtu – e është kthyer jo në Serbi por në Veri”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Ai ka kritikuar po ashtu edhe institucionet e Kosovës për të cilat tha se janë të pafuqishme.

“Ndalesa tregon se ku përfundon fuqia e Kosovës; ku nisë ajo e shtetit të tij. Me ose pa dije – më shumë me të dyja bashkë – liderët kosovarë caktuan kufirin e ri politik. Ja, thanë, s’mund të vijë kurrë në Drenicë; le të kthehet në Mitrovicë. Dhe na jepen si triumfalistë”.

“Çfarë disfate poshtruese para vetes e botës; para shtetit të vet. Vizita – në gjithë Kosovën – nuk është dashur të lejojet në rend të parë asnjëherë’, ka shkruar Abdixhiku në lidhje me vizitën e Vuçiqit në Kosovë.

Të ngjashme