Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka graduar dhjetëra diplomatë në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit për Grada dhe Disiplinë.
Vendimmarrjen e ka arsyetuar duke u mbështetur në atë se është kompetencë ligjore e ministrit që t’i caktojë kriteret dhe ato t’i bëjë valide. Por mbështetur në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, avancimi i nëpunësve të Shërbimit të Jashtëm duhet të mbështetet në sistemin e gradimit, ku përcaktohen elementet kryesore në dhënien e një grade, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ato janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës. Mënyra e gradimit që nuk bazohet në kritere profesionale, por në vullnetin politik të ministrit Pacolli, është kundërshtuar brenda Ministrisë së Jashtme, por edhe nga institucione të tjera.
Për disa prej këtyre emërimeve ka ngritur alarmin edhe Shoqata Sindikale në MPJ, duke kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit dhe të presidentit. Këtë mënyrë të avancimit Shoqata e ka cilësuar abuzive. MPJ-ja ka mohuar shkeljet, por nuk ka vënë në dispozicion të gazetës dosjen e gradimeve.
Në dokumentet që ka siguruar gazeta, me vendime të ministrit, që nuk kanë pasur mbështetje të Komisionit për Grada, janë avancuar/graduar 11 zyrtarë.