Ademi merr pjesë në aktivitetet e FIFA-s para finales së Kupës së Botës, përshëndetet edhe me Trumpin

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, po merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga FIFA në prag të finales së Kupës së Botës 2026 ndërmjet Spanjës dhe Argjentinës, me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Sipas njoftimit të FFK-së, gjatë këtyre aktiviteteve Ademi ka zhvilluar takime me personalitete të njohura të futbollit botëror dhe drejtues të federatave kombëtare. Në kuadër të ceremonisë së organizuar në Trump Tower, ai është përshëndetur edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

FFK vlerëson se pjesëmarrja e presidentit të saj në këto aktivitete dëshmon pozitën e konsoliduar të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e presidentit Ademi në këto ngjarje të rëndësishme konfirmon edhe një herë pozitën gjithnjë e më të konsoliduar të Federatës së Futbollit të Kosovës në familjen e futbollit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Federata njofton gjithashtu se FIFA ka publikuar fotografi të Agim Ademit në platformat e saj zyrtare, duke e cilësuar këtë si dëshmi të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy institucioneve.

“Ndërkohë, FIFA vazhdon të dëshmojë respektin dhe vlerësimin e saj për futbollin e Kosovës, ku ka publikuar edhe fotografi të presidentit Agim Ademi, në platformat zyrtare të saj. Kjo është një tjetër tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe i vëmendjes që institucioni më i lartë i futbollit botëror i kushton Kosovës”, thuhet më tej.

Sipas FFK-së, ky vlerësim vjen si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm me FIFA-n dhe angazhimit për zhvillimin e futbollit në Kosovë.

“Ky vlerësim është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm, angazhimit institucional dhe punës së përbashkët për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Mbështetja e vazhdueshme e FIFA-s për projektet zhvillimore, përparimin institucional dhe integrimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare dëshmon besimin që ky institucion ka ndaj punës së Federatës së Futbollit të Kosovës”, thotë njoftimi i FFK-së.

Të ngjashme