Aeroplani rus me rreth 100 pasagjerë rrëshqet në akull dhe devijon nga pista

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Një aeroplan rus i udhëtarëve është lëshuar me forcë në tokë dhe ka rrëshqitur në pistën e mbuluar nga akulli, duke i detyruar rreth 100 pasagjerët që të evakuohen në mënyrë emergjente për shkak të frikës nga shpërthimi i mundshëm i zjarrit.

Personat që ndodheshin në aeroplan thanë se brenda mjetit fluturues u krijua panik gjatë incidentit. Ata u larguan përmes shkallëve emergjente në pistën e aeroportit Usinsk të qytetit Komi, i cili shtrihet rreth 1900 kilometra në lindje të Moskës.

Aeroplani i përfshirë në incident i përket kompanisë ajrore “Utair” dhe është i tipit Boeing 737, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Autoritetet ruse thanë se asnjëri prej 94 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit nuk është lënduar, por një grua kërkoi asistencë mjekësore.

Alexander Panin, 34-vjeçar, i cili ishte në mesin e pasagjerëve, tha: “Fluturimi po zhvillohej normalisht deri në aterim. Krahu i djathtë i aeroplanit u thye dhe pamë se karburanti po rridhte. Gjithçka po ndodhte shumë shpejt. Ekuipazhi na urdhëroi që të largohemi përmes anës së majtë dhe dolëm shpejt jashtë”, transmeton gazetaexpress.

Incidenti ndodhi në kohën kur në pistë kishte erë të fuqishme dhe temperatura ishte -20 gradë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme