AFP: Kosova – një historik i shkurtër i luftës për pavarësi

Prishtinë | 14 Shk 2018 | 09:34 | Nga

Kosova, e cila të shtunën shënon 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, u nda nga Serbia pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Më poshtë ju sjellim ngjarjet kryesore që nga viti 1945 që kanë formuar shtetin me shumicë dominuese shqiptare, sovraniteti i së cilit ende mohohet nga Beogradi, transmeton Koha.net shkrimin e AFP-së.

– Ndahet Jugosllavia –

Pas Luftës së Dytë Botërore, territori i vogël i ngujuar i Kosovës integrohet në Republikën Federale Socialiste të Jugosllavisë së liderit komunist, Josip Broz Tito.

Kosova është pjesë e Serbisë, një nga gjashtë republikat e Jugosllavisë, por statusi i saj si provincë autonome shtrihet dukshëm më 1974.

Me manastiret e saj ortodokse serbe, Kosova duhet fort nga serbët, që e konsiderojnë vatër të religjionit dhe identitetit të tyre.

Më 1989, lideri serb, Slobodan Millosheviq, nis dhunshëm heqjen e autonomisë së Kosovës, e më vonë zotohet për “unitet” duke e futur provincën krejtësisht nën sundimin serb.

Një vit më vonë, shqiptarët e Kosovës vendosin të shpallin pavarësinë, të cilën e refuzon qeveria serbe.

Jugosllavia nis të rrënohet më 1991, me Slloveninë dhe luftën e saj të shpejtë 10 ditëshe për pavarësi. Konflikti ndëretnik i Kroacisë shfaqet po atë vit ndërsa lufta në Bosnje nis në vitin 1992.

Kombet e Bashkuara pranojnë tri ish-republikat jugosllave më 1992 dhe konfliktet përfundojnë më 1995, transmeton Koha.net.

Por, statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur.

Më 1998, Millosheviqi sërish kthen vëmendjen e tij kah provinca. Forcat serbe nisin një sulm të fuqishëm ndaj Ushtrisë së porsaformuar Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një konflikt që merr jetët e rreth 13 mijë, kryesisht shqiptarë, në rreth 15 muaj sa zgjat.

Me qindra mijëra refugjatë ikën si pasojë e represionit, duke u dyndur në Shqipërinë dhe Maqedoninë fqinje.

– Nën mbikëqyrjen ndërkombëtare –

Aleanca e NATO-s vendosi të intervenonte, duke nisur një fushatë 78 ditore bombarduese mbi Serbinë më 1999 që la 500 të vdekur, sipas vlerësimeve të “Human Rights Watch”.

Ofensiva kulmon me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, e cila bëhet protektorat i OKB-së.

Tensionet vazhdojnë mes shqiptarëve dhe serbëve, kryesisht në qytetin e tensionuar të Mitrovicës ku dy komunitetet janë pothuajse krejtësisht të ndara nga një lum.

Më 2004, paqeruajtësit e NATO-s dështojnë të qetësojnë trazirat dy-ditore anti-serbe nga shqiptarët përgjatë Kosovës që la 19 të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar.

Martti Ahtisaari, i dërguari special i OKB-së, pasi drejtoi për rreth një vit bisedime thuajse të pafrytshme mes Kosovës e Serbisë, propozon një plan më 2007 për pavarësi “të mbikëqyrur ndërkombëtarisht” si “opsionin e vetëm të zbatueshëm” për Kosovën, transmeton Koha.net.

– Kosova ecën vetë –

Më 17 shkurt, 2008, Parlamenti i Kosovës njëanshëm shpall pavarësinë.

Ajo njihet nga SHBA-ja dhe shumë shtete evropiane, por refuzohet nga disa shtete përfshirë Rusinë e Spanjën, që konsiderojnë se ky veprim mund të nxis rajonet e tyre që kanë mendjen për pavarësi.

Një vit më pas, Kosova anëtarësohet në FMN dhe në Bankën Botërore. Më 2010, gjykata më e lartë e OKB-së i jep mbështetjen formale pavarësisë së saj, duke thënë se është në pajtim me ligjin ndërkombëtar.

Por Serbia vazhdon t’ia mohojë sovranitetin, dhe vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pengon Kosovën që të bëhet shtet anëtar i OKB-së.

Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizim të marrëdhënieve nisën më 2011, ndërsa Beogradi merr statusin e shtetit kandidat në BE vitin pasues.

Por progresi në bisedime ndalon më 2016, me tensione të vazhdueshme mes dy ish-armiqve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme