Afro 2 000 persona në listën e pritjes së shërbimeve ortopedike në QKUK

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Pritjet për ndërhyrje jourgjente në Klinikën e Ortopedisë për disa qytetarë kanë zgjatur gati tre vjet. Atyre u duhet të presin ende, jo vetëm për shkak të kapaciteteve të kufizuara në klinikë, por edhe për shkak të pandemisë së COVID-19, që ka çuar në ndërprerjen e trajtimeve të tilla. QKUK-ja ka bërë të ditur edhe statistikat e listës së pritjes.

Shërbimin për proteza të kërdhokullave janë duke e pritur gjithsej 260 qytetarë. Nga viti 2018 janë 106, nga 2019 janë 131 persona, kurse 23 persona janë futur në listë në vitin 2020. Listë më të gjatë të pritjes, afro 800, ka për protezë të gjunjëve. Madje mbi 100 persona nga viti 2017. “Proteza të gjunjëve: 2017 – 106; 2018 – 306; 2019 – 303; 2020 – 91 persona”, thuhet në këto statistika.

Për trajtimin e ligamenteve në pritje janë mbi 600 persona. Nga viti 2017 janë 44 persona, 298 janë nga viti 2018, 233 nga viti 2019 dhe 56 janë përfshirë në listë këtë vit. Ndërprerja e trajtimit të rasteve joemergjente, për shkak të masave mbrojtëse kundër pandemisë, ka bërë që listat e pritjes në QKUK të rriten. Gazetës i janë vënë në dispozicion vetëm të dhënat e Klinikës së Ortopedisë, porse lista pritjeje ka edhe në klinikat e tjera.

Në Ministrinë e Shëndetësisë i kanë thënë KOHËS se janë duke i bërë përgatitjet për rikthimin e shërbimeve specialistike.

“Në këtë fazë të hapjes graduale lejohet veprimtaria e spitaleve, veprimtaria e mjekësisë së përgjithshme dhe veprimtaria e mjekësisë së specializuar. Duke e parë trendin e mirë sa i përket situatës epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë ditëve të fundit, MSh dhe SHSKUK kanë filluar të përgatiten për rikthimin gradual të shërbimeve mjekësore specialistike të nivelit terciar dhe sekondar”, ka thënë Faik Hoti, drejtor i Informimit në MSH.

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve ka thënë se e mirëkuptojnë ndaljen e ndërhyrjeve dhe trajtimeve joemergjente në fillim të pandemisë, porse tani, sipas tij, duhet t’i kthehen normalitetit. Rastet elektive nuk janë duke u trajtuar nga gjysma e marsit, si masë parandaluese kundër virusit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme