Aftësohen 54 të rinj për punësim në Gjermani

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 13:12 | Nga

Aftësohen 54 të rinj për punësim në Gjermani

Agjencia e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK) organizoi takimin përmbyllës me 54 punëkërkuesit kosovarë, të cilët pas përgatitjes se tyre 10-muajsh, në fillim të shtatorit do të fillojnë shkollimin dhe aftësimin trevjeçar profesional në profesionin “Përkujdesës/e ndaj të moshuarve” në Gjermani.

Bedri Xhafa udhëheqës  i Përgjithshëm i APPK-së ka thënë se pas realizimit të parë të trajnimit 27 kosovarë gjinden në Gjermani dhe të gjithë e kanë përfunduar suksesshëm trajnimin, kjo edhe ka qenë arsyeja që gjermanët kanë kërkuar që të kenë 54 punonjës të ri nga Kosova.

Minsitri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, theksoi se ndjehet i kënaqur që është në këtë ceremoni.

“Ky projekt ka filluar një vit më parë, ka qenë  ideja që të rinjve të Kosovës  t’iu ofrohet mundësi punësimi në shtetet e Evropës. Ajo që më bën krenar mua me juve është aftësimi i shpejtë i gjuhës gjermane dhe i plotësoni standardet për atje”.

“Një numër i madh i investitorëve të jashtëm që kanë ardhur me investuar në Kosovë me vete kanë pasur nga një shqiptar, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë edhe me juve”, ka thënë Abrashi.

Christina Gehlsen, zëvendëse e Ambasadores gjermane në Kosovë tha se ky projekt është i rëndësishëm për Kosovën me 30 për qind të rinjve të pa punë.

“Do të jetë një rrugëtim me situata të vështira, por gjatë këtij rrugëtimi do të mësoni shumë dhe shpresoj se nuk do të pendoheni, është e rëndësishme se përmes një shkollimi dhe aftësimi do të merrni përvoja që do t’ju shërbejnë edhe kur të ktheheni në Kosovë”, tha Gehsen.

Në këtë takim të pranishëm ishin ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, drejtori i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), James Macbeth, bashkëpunëtori ndërkombëtarë i Diakonisë, Johannes Flothow si dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Projekti “Migrimi legal i qytetarëve të Kosovës në kuadër të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Gjermani” është një bashkëpunim në mes të Agjencisë të Përkrahjes së Punësimit Kosovë dhe organizatës gjermane Diakonie nga Gjermania (Baden Württemberg , me përkrahjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë GIZ.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme