Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim është zgjedhur kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Ai ka marrë 27 vota nga 46 sa kanë qenë të vlefshme, kurse pesë janë shpallur të pavlefshme. Kuleta ka falënderuar asambleistët për besimin që i kanë dhënë për të qenë kryesues.
“Kjo përbërje e Kuvendit është reflektim i asaj që kanë zgjedhur qytetarët e Prishtinës. Këta qytetarë, gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre të votës, janë përcaktuar për njerëz të ndryshëm dhe subjekte politike të ndryshme”.
“Ne na bashkon interesi i Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ndërsa mund të ndajë mënyra se si e shohim realizimin e këtyre interesave. Prandaj, duke besuar fuqishëm në këtë, si kryesues i këtij Kuvendi, do të përpiqem maksimalisht që ta kryejë punën time në mënyrë sa më profesionale”, tha Kuleta.
Kundërkandidati i tij nga LDK, Shefki Gashi ka marrë 19 vota.