Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, mori pjesë në panelin e organizuar nga OEMVP, ku u diskutua për të ardhmen e odave ekonomike dhe rolin e tyre në zhvillimin e biznesit.
Gjatë diskutimit, Shahini theksoi se transformimi i odave ekonomike nuk duhet të mbetet vetëm në nivel lokal apo shtetëror, por duhet të shtrihet edhe në bashkëpunimin rajonal. Sipas tij, në një ekonomi gjithnjë e më të ndërlidhur, është e domosdoshme që odat ekonomike të Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm rajonal, i cili do të përfaqësojë me një zë të përbashkët interesat e biznesit, tregtinë e lirë, investimet dhe konkurrueshmërinë.
“Bizneset përballen me sfida të ngjashme në të gjithë rajonin dhe zgjidhjet kërkojnë bashkëpunim më të madh, koordinim më të fortë dhe përfaqësim më të unifikuar para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, tha Shahini.
Ai vlerësoi se vetëm përmes bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal mund të krijohet një mjedis më i favorshëm për zhvillimin e biznesit, tërheqjen e investimeve dhe sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.
Në përfundim, kryetari i AKB-së theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë te Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duke nënvizuar se zhvillimi ekonomik i rajonit kërkon më pak barriera administrative dhe më shumë bashkëpunim ndërmjet komuniteteve të biznesit.