Pasi pati reagime se Avdullah Hoti nisi të emërojë koordinatorë nacionalë, ndonëse sa ishte në opozitë këto poste i quante plaçkitje, zyra e tij ka sqaruar emërimin e sotëm të koordinatorit nacional.
Zyra e Kryeministrit në një njoftim dërguar mediave thotë se po sqaron që në postin e koordinatorit nacional për luftim të terrorizmit është emëruar vetë ministry i Punëve të Brendshme.
Sipas ZKM’së, ai nuk do të marrë asgjë ekstra për këtë pozitë shtesë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka emëruar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit.
Ky emërim nuk nënkupton assesi se është krijuar një pozitë e re. Në detyrën e koordinatorit ai nuk do të ketë as staf të ri, as pagesë shtesë’, thuhet në sqarim.
Rikthimi i koordinatorëve nacionalë u kritikua, ashtu sic i kishte kritikuar vetë Hoti, sa ishte shef i Grupit Parlamentar të LDK’së, një vit më parë.
Në shkurt të vitit 2019, ai kishte shkruar se emërimet e tilla janë plaçkitje të Qeverisë së PAN’it.