Pas më shumë se një dekade, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUVK) si autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve kthehet nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Me këtë rast, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zhvilloi një takim me zëvendës kryeshefin e AUV, Flamur Kadriu, me ç’rast u njoh nga afër me funksionimin e kësaj agjencie, njofton Klan Kosova.
“Roli i kësaj Agjencie është krucial në adresimin dhe ekzekutimin e politikave që i shërbejnë sigurisë ushqimore andaj do i kushtohet rëndësi e veçantë ngritjes së kapaciteteve njerëzore e laboratorike me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve tanë nga rreziqet që vijnë nga sëmundjet që barten përmes mungesës së kontrollit fitosanitar të cilësisë, ushqimet e pa-kontrolluara e të ngjashme. Kryeministri Albin Kurti, përmes kthimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës tek Ministria e Bujqësisë, konfirmoi orientimin e kësaj Qeverie që secila Agjenci e secili Institucion të jenë funksional dhe t’i kontribuojnë fushës për të cilën janë të mandatuara”, u shpreh me këtë rast Ministri Peci.