Posta e Kosovës, këto ditë ka lansuar edhe një pullë postare që i dedikohet Blinajës, e së cilës i referohet si Park Nacional (Kombëtar).
Pas kësaj ka reaguar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ku thonë që statusi i zonës së Blinajës nuk është Park Nacional (Kombëtar), sikurse i referohet Posta e Kosovës
“ Blinaja nuk është Park Nacional por është Rezervat i Gjuetisë me rëndësi të veçantë i shpallur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo kategori e kësaj zone nuk ka të bëjë asgjë me Parkun Kombëtare e as me ndonjë zonë tjetër të mbrojtur të natyrës, përkundër vlerave me të cilat disponon”, shkruan AMMK-ja.
Ja postimi i plotë i AMMK-së:
Sqarim: Blinaja nuk është Park Kombëtar!
Posta e Kosovës, në kuadër të procesit të promovimit të vlerave natyrore të Kosovës, këto ditë ka lansuar edhe një pullë postare që i dedikohet Blinajës, e së cilës i referohet si Park Nacional (Kombëtar).
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, informon opinionin e gjerë që statusi i zonës së Blinajës nuk është Park Nacional (Kombëtarë), sikurse i referohet Posta e Kosovës por Rezervat i Gjuetisë me Rëndësi të Veçantë i shpallur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo kategori e kësaj zone nuk ka të bëjë asgjë me Parkun Kombëtare e as me ndonjë zonë tjetër të mbrojtur të natyrës, përkundër vlerave me të cilat disponon.
“Parku Kombëtar është zonë e gjerë e tokës dhe/ose ujit, me vlera të jashtëzakonshme dhe të shumëllojshme natyrore, përfshin një ose më shumë ekosisteme natyrore të ruajtura ose pak të ndryshuara dhe kryesisht dedikohet për ruajtjen e vlerave burimore të natyrës”, gjë që nuk e ka Blinaja.
Shpallja e Parqeve Kombëtare si zona të mbrojtura bëhet gjatë një procesi që përfshinë hartimin e arsyeshmërisë profesionale nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe hartimin e ligjit përkatës nga MMPH. Pas miratimit të këtyre dokumenteve nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës, zona përkatëse merr statusin e Parkut Kombëtarë.
Meqenëse Rezervat i Gjuetisë me Rëndësi të Veçantë “Blinaja” nuk e gëzon statutin e Parkut Kombëtar, AMMK i bënë thirrje Postës së Kosovës që të bëjë përmirësimin e pullës postare dhe para editimit të pullave të ngjashme të konsultohet me organet përkatëse.