Agjenti i njohur Alessandro Canovi ka thënë se Juventusi do të jetë i gatshëm të garojë për transferimin e mesfushorit të Manchester Unitedit, Paul Pogba dhe atij të Brescias, Sandro Tonali.
Juventusi është i interesuar të përforcojë ekipin edhe më tutje në kërkim të triumfit në garën më të madhe ekipore evropiane, Ligën e Kampionëve.
Ylli i Unitedit, Pogba dhe talenti italian i Brescias, Tonali janë dy lojtarët e preferuar të Zonjës së Vjetër, e cila është gati të garojë për shërbimet e tyre.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar agjenti i njohur, Alessandro Canovi.
“Pogba? Francezi ka një vlerësim të rëndësishëm ekonomik. Për të zbutur shpenzimin e parave, Juventusi me siguri do të duhet të bëjë disa shitje”, ka thënë fillimisht Canovi për Calcio Today.
“Hipoteza e kthimit përkrahet edhe nga agjenti i Pogbas, Mino Raiola, i afërt me klubin e Juventusit. Padyshim që do të jetë një sfidë kundër Real Madridit”.
“Për Tonalin do të jetë një derbi gjithë-italian me Interin. Juve është gati për ta transferuar lojtarin e Brescias”, përfundoi agjenti i njohur. /Telegrafi/