Agjenti i Elseid Hysaj, Mario Giuffredi, ka deklaruar se kapitulli i Elseid Hysaj në Napoli është i mbyllur.
Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli në fundin e kontratës së tij pesë vjeçare, transmeton lajmi.net.
Hysaj nuk po ka hapësira nën urdhërat e trajnerit, Gennaro Gattuso, dhe tani është duke kërkuar një klub të ri.
Javë më parë, spekulohej se Benfica është klubi në të cilin Hysaj do përfundojë, por agjenti i lojtarit, Mario Giuffredi ka dhënë një deklaratë interesante.
“Me Napolin është mbyllur gjithçka dhe në fund të sezonit do të ndodhë largimi. Një nga klubet me të cilët po flasim është edhe Paris Saint Germain”, tha ai.
“Kam diskutuar me Leonardon këto ditë dhe është një mundësi, por nuk ka ende asgjë konkrete. Në fund të sezonit do të vlerësojmë alternativat me qetësi”, tha Giuffredi.
Giuffredi u pyet nëse ardhja e Maurizio Sarrit në Napoli do të ndryshonte mendjen e shqiptarit për largim. Ai nuk e mohoi një gjë të tillë.
“Nëse Sarri rikthehet të marrë drejtimin e Napolit, atëherë gjërat mund të ndryshojnë, por gjithmonë nëse nuk kemi firmosur me ndonjë klub tjetër”, shtoi ai.
“Unë jam menaxher i Hysajt dhe kam detyrimin të çoj përpara diskutimet e nisura që në muajin janar, ndaj mund të kemi gjetur një klub tjetër para fundit të sezonit”, deklaroi Mario Giuffredi.
Hysaj ka regjistruar 165 ndeshje në fanellën e Napolit dhe ka shënuar një gol në Serie A./