Kosova ka potencial të lartë për zhvillimin e agroturizmit, që konsiderohet si një ndër fushat me ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik e bujqësor të vendit, duke mundësuar edhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kështu është shprehur Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vizitës së fshatit Bërnicë, që njihet një nga zonat për zhvillimin e veprimtarive në fushën e agroturizmit e që këto veprimtari po gjallërohen dita ditës në këtë pjesë të Komunës së Prishtinës. Për avancimin e vlerave tradicionale dhe këtyre veprimtarive, Ministri Peci ka premtuar përkrahje përmes programeve vjetore të Ministrisë.
“Përmes Programit për Zhvillim Rural, i cili do të shpallet gjatë muajit Mars të këtij viti, ne synojmë të mbështesim projektet, qëllimi i të cilave është ngritja dhe ruajtja e vlerave tradicionale e agroturizmit, e sidomos ato projekte të cilat kultivojnë vlerat e produkteve bujqësore, të cilat i nxjerrim nga toka jonë”, ka theksuar Ministri Peci.
Gjatë vizitës tek “Molla e Egër – Agroturizëm”, ku kultivohen veprimtaritë e agroturizmit, Ministri ka parë nga afër të gjithë procesin e furnizimit dhe mënyrën e funksionimit të kësaj veprimtarie, e cila në fokus ka ushqimin bio dhe të freskët.
Ndryshe, fermerë nga rajone të ndryshme të vendit janë ata që e furnizojnë këtë subjekt me prodhimet e tyre bujqësore, si qumështi, mishi i gjedheve, deleve dhe dhive. Po ashtu, ky subjekt i agroturizmit zhvillon edhe veprimtari bujqësore, ku aktualisht ka një fermë të pulave, në të cilën rriten pulat e fshatit të llojit New Hampshire dhe kultivohen perimet.