Ahmet Ajeti, ushtaraku që përfaqëson denjësisht Kosovën në Bruksel

Prishtinë | 29 Qer 2017 | 14:09 | Nga

Ishte veç 19 vjeçar, atëherë kur Ahmet Ajeti  hyri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Shalës.

Angazhimi i tij nuk u ndal as pas plagosjes në njërën prej betejave të shumta, ndërsa forca dhe vullneti i tij për të kontribuuar në shtetndërtimin e vendit dhe ndërtimin e kapaciteteve shtetformuese bëri që Ajeti të vazhdonte të mbetet pjesë e TMK-së duke kryer detyra të ndryshme në Zonën e IV-të të Mbrojtjes .

Përveç tjerash në mes të viteve 2003-2004, Ajeti kishte shërbyer si Këshilltar i TMK-së për Gjeneral Majorin Andrew Cummings, Koordinator i TMK-së, në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë e më pastaj gjatë vjetëve  2004 – 2008 edhe si  Shef i Degës së Gjuhëve të Huaja, në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinave të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, shkruan gazeta Observer.

Fillimi i vitit 2009, një periudhë shumë e rëndësishme për FSK, pasi transformimi nga TMK në FSK veç kishte përfunduar, e gjen Ahmetin si zëvendëskomandant të Qendrës për Zhvillim Profesional të Udhëheqësve në Komandën e Trajnimit dhe Stërvitjes të FSK-së.

Angazhimi i tij prej ushtaraku tashmë të dëshmuar intensifikohet më pastaj me angazhimin e tij në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, si Menaxher i Programeve Foreign Military Financing (FMF) dhe Asistencës Humanitare (program i Komandës së Armatës Amerikane për Evropë)  gjatë viteve 2009-2013. Përgjegjësitë kryesore të tij si Menaxher i Programit FMF përfshinin menaxhimin e fondeve disa milionëshe të Qeverisë amerikane, të cilat ishin të destinuara për mbështetjen e Forcës së Sigurisë dhe sektorit të sigurisë së Kosovës me pajisje dhe trajnim; definimin e nevojave për pajisje dhe trajnim; ndihmën në përdorimin/shfrytëzimin sa më të mirë të programit, pajisjeve dhe trajnimit; si dhe koordinimin e asistencës së Qeverisë së ShBA-së me partnerët tjerë ndërkombëtar.

Po ashtu, Ahmeti ishte i angazhuar edhe në Programin e Asistencës Humanitare të Komandës për Evropë të Armatës Amerikane (USEUCOM HA), i cili nën menaxhimin e tij ka realizuar shumë projekte në mbështetje të Ministrisë së Arsimit (renovim të shkollave, pajisje/orendi shkollore, etj), Ministrisë së Shëndetësisë (renovim të klinikave të kirurgjisë dhe asaj infektive – projekte disa milionëshe; dhurim të pajisjeve, etj), Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent dhe Komunave të ndryshme (me pajisje, trajnim).

Nga viti 2013, Nënkolonel Ajeti është emëruar Atashe i Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel. Aktiviteti i tij kryesor ka të bëjë me bashkërendimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj të sigurisë me NATO. Nënkolonel Ajeti angazhohet në zhvillimin e politikave të qeverisë së Kosovës dhe sigurimin e mbështetjes nga ana e shteteve anëtare të NATO-s, në synimin e Kosovës për anëtarësim final në NATO.

Po ashtu, Ahmeti është i akredituar Atashe i Mbrojtjes dhe Ushtarak në Mbretërinë e Belgjikës, dhe Atashe jorezident për Mbretërinë e Holandës dhe Luksemburgut. Në këtë funksion ai është përgjegjës për shtimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të armatosura të këtyre shteteve dhe Forcës së Sigurisë së Kosovë. Gjithashtu, në kapacitetin e tij si përfaqësues ushtarak, ai është këshilltar kryesor për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.

Nënkolonel Ajeti është i diplomuar në universitetin e Prishtinës, si dhe mbanë diploma dhe çertifikata të ndryshme nga TMK, KFOR, Akademia Kroate e Mbrojtjes, Instituti i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për Menaxhim të Asistencës së Sigurisë, etj. Është i lindur në Vushtrri, me 15 mars 1979. Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme