Ahmeti: Do të rikandidohem në zgjedhje për ta shpëtuar kryeqytetin

Prishtinë | 04 Mar 2017 | 12:06 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, thotë se në zgjedhjet komunale do të rikandidohet për të parin e Prishtinës për të mos rrezikuar projektin për zhvillimin e kryeqytetit.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, i pari i Prishtinës, Ahmeti ka thënë se askush nuk duhet t’i frikësohet demokracisë dhe se në komunë kanë vendosur një sistem të ri të llogaridhënies.

“Gatishmëria e subjektit është natyrisht që unë të kandidohem edhe njëherë, por kjo mbetet që të vendoset gjatë verës edhe njëherë kur i afrohemi zgjedhjeve. U kam thënë edhe më herët se nuk e rrezikojmë projektin e Prishtinës dhe mendohet se në çfarëdo mënyre rrezikohet, atëherë patjetër do të jem kandidati…”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se presin verdiktin e qytetarëve në zgjedhje, “nuk i dihet asnjëherë se kush do të jetë”.

Në zgjedhjet e fundit në Prishtinë, ai ka thënë se nuk kanë pasur asnjë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër politik, por ka theksuar se qytetarët janë ata që kanë vendosur për ta votuar Shpend Ahmetin dhe për të bërë ndryshime.

Ai ka folur edhe për projektin e autobusëve për kryeqytetin, duke akuzuar Qeverinë se qëllimshëm vonoi projektin për një vit, duke mos nënshkruar marrëveshjen…

Me qarkullimin e autobusëve të rinj ai ka thënë se deri tani është vërejtur rritje e numrit të udhëtarëve dhe rritje e të hyrave. Ahmeti premton se do të shtojnë linja të reja të autobusëve nëpër ato lagje ku nuk i kanë mbuluar me trafik urban.

Hapësirat për parkingje në Prishtinë vazhdojnë të jenë ende problem, por kryetari Ahmeti tregon se bllokimi kryesor është bërë nga Kuvendi Komunal.

“I kemi identifikuar 4 700 vende të parkingut në qendrën 1, dhe thjesht ka mbetur themelimi i ndërmarrjes, por që këto probleme në kuvend kanë shkaktuar që mos të dihet kush çka po bënë dhe tashmë kemi filluar t’i marrim hapësirat e parkingut si ajo prapa Pallatit të Rinisë dhe do të bëjmë njëherë me “Horti Kulturën” që pastaj t’i transferohet krejt “Prishtina Parking” kur të jetë gati”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për punëtorët që janë me kontratë mbi vepër, për mungesën e Ligjit për Prishtinë, për të cilin akuzon Qeverinë për mosmiratim të tij.

“Është çudi qysh një kryetar komune që është ankuar nja 6 vjet që nuk ka ligj për Prishtinën dhe në momentin që kur u bë kryeministër qe 3 vjet nuk e procedoi ligjin për të cilin 6 vjet u ankua vet”, ka thënë Ahmeti.

“Ka pasur mosmarrëveshje mes neve dhe qeverisë së Kosovës, megjithatë ekziston një draft. Çka kanë bë tash, këta e kanë futur në agjendën legjislative më 30 qershor të 2017-ës. Pse? Që deri sa të kalon shtatori, tetori që mos me pas këtë mandat fare me atë ligj. Kur e kanë menduar ligjin, më kanë menduar mua, e paramendoni tash kur një ligj mendohet për persona specifik, e nuk mendohet për kryeqytetin…”, ka thënë Ahmeti.

INTERVISTA E PLOTË

EO: Zgjedhjet e reja të cilat priten të mbahen në nëntor të këtij viti. A është e sigurt që ju do të jeni kandidati I Vetëvendosjes edhe për një mandate tjetër në Prishtinë?

Ahmeti: Lëvizja Vetëvendosje i ka procedurat e veta për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar komune, pra e kemi sistemin, kisha me thënë të ngjashëm me ShBA-në, ku ka Fribes (Frajbes) më së pari nominohesh, por megjithatë gatishmëria e subjektit është natyrisht që unë të kandidohem edhe njëherë, por kjo mbetet që të vendoset gjatë verës edhe njëherë kur i afrohemi zgjedhjeve. U kam thënë edhe më herët se nuk e rrezikojmë projektin e Prishtinës dhe mendohet se në çfarëdo mënyre rrezikohet, atëherë patjetër do të jem kandidati.

EO: Pse duhet qytetarët e Prishtinës t’ju zgjedhin edhe njëherë për kryetarë të komunës së tyre?

Ahmeti: Kjo është pyetje për qytetarët e Prishtinës, sepse në fund të fundit askush në politikë nuk duhet t’i frikësohet demokracisë. Ne kemi vendosur një sistem të ri të llogaridhënies që unë qytetarëve para 3 viteve ia kam dhënë 12 premtimet e mija të cilat iu kam thënë: mbani edhe në kuleta. Në fushat zgjedhore i nxjerrim ato premtime dhe e shohim të cilat i kemi përmbush dhe cilat jo. Ne besojmë që kryesorja që kemi bërë është se i kemi ndalë të këqijat, i kemi filluar të mirat dhe tash veçse Prishtina vazhdon të zhvillohet më shumë dhe rrugës normalisht e kemi përmirësuar shumë komunikimin me qytetarë, llogaridhënien, transparencën, kemi digjitalizuar administratën kemi përmirësuar shërbimet, sidomos në shëndetësi, kemi blerë autobusët për transportin publik, kemi dyfishuar numrin e çerdheve dhe pas 17 marsit të këtij viti Prishtina do të ketë edhe 24 orë ujë.

EO: Cilën parti e konsideroni rivale kryesore në zgjedhjet e ardhshme, LDK-në apo PDK-në?

Ahmeti: Nuk mendoj se duhet të flasim kështu se cila është rivale apo cila jo. Ne nuk i dimë emrat e asnjë kandidati politik të asnjërës parti deri më tani janë të përfolur, janë spekulime, nuk jam person që them me duart në xhepa, apo diçka të tillë. Po e them edhe njëherë, presim verdiktin e qytetarëve, nuk i dihet asnjëherë se kush do të jetë, në përgjithësi mendoj se nga diskutimi me qytetarët e Prishtinës është shpreh dëshira që të kandidojë edhe njëherë, por se çka do të ndodhë në zgjedhje kjo siç thash edhe më herët është në duart e qytetarëve të Prishtinës.

EO: Në zgjedhjet e fundit, zyrtarë të PDK-së patën thënë publikisht se të kanë ndihmuar për të fituar në balotazh?

Ahmeti: Qytetarët dhe votuesit nuk i takojnë asnjë partie, do më thënë, nuk ka votues me thënë kjo parti e ka bërë këto apo atë. Është e vërtetë që në raundin e dytë është bërë një bashkim i votuesve në përgjithësi dhe ka qenë dëshira për ndryshim, ne nuk kemi pasur asnjë marrëveshje me asnjë parti politike në raund e dytë. Në qoftë se ka qenë në interes të ndonjërit prej anëtarëve të Partisë Demokratike që ta dobësojnë Isa Mustafën dhe kjo ka qenë arsyeja, i mbetet atyre të vendosin, por mendoj që shumica e votuesve që e kanë votuar PDK-në në raundin e parë pastaj e kanë parë zgjidhjen për ndryshim dhe kanë vendosur për mua. Por nuk e kemi pasur asnjë marrëveshje me subjektin politik.

EO: Thatë që është bërë një forcë e votuesve a mendoni që Lëvizja Vetëvendosje pa këtë forcë, apo bashkim të votuesve t’i fitoj zgjedhjet?

Ahmeti: Ne prapë e konsiderojmë që qytetarët e Prishtinës janë ata që e marrin vendimin dhe asnjëherë nuk themi që këta janë votuesit e Vetëvendosjes, apo votuesit e një subjekti politik. Po e them se ata që kanë votuar për mua dhe ata që nuk kanë votuar prapë se prapë i kanë ato premtime, llogaridhënien në fund të këtij mandati dhe e vlerësojnë se a duhet të vazhdoj apo jo, dhe prapë do të shkojmë me platformën e re që kërkon votën e qytetarëve të Prishtinës. Në çdo sondazh tregohet që Vetëvendosje ka shënuar rritje në Prishtinë, për mua është tepër me rëndësi dhe këtë do ta theksojmë në fushatë nevojën e votës për kryetar të përcillet edhe me votën për kuvendin komunal. Duke marrë parasysh problemet që kemi pasur me kuvendin komunal është tepër e rëndësishme që qytetarët e Prishtinës të kuptojnë që nëse ia japin mandatin dikujt, që në këtë rast na japin edhe një mandat është e rëndësishme që të na jepet mbështetja edhe në kuvendin komunal në mënyrë që reformat që i kemi nis t’i bëjmë sa më shpejt. Ne ndoshta autobusët do t’i kishim para një viti në Prishtinë po të mos ishte bllokada në kuvendin komunal, ne do t’i kishim shumë plane rregullative po të mos ishte bllokada në kuvendin komunal. Pra duhet të kuptojnë se edhe pse një kryetar ka shumë pushtet duhet me kuptuar që duhen reforma më të shpejta.

EO: Meqë i përmendët autobusët, njëra nga premtimet e juaja kryesore ka qenë rregullimi i tregut urban. 51 autobusë të rinj tashmë janë blerë. Por, a zgjidhet problemi veç me blerjen e autobusëve të rijnë, sepse dihet që problem i madh është trafiku i ngarkuar në Prishtinë?

Ahmeti: Po, zgjidhet një pjesë e madhe. Prishtina ka nevojë për 160 autobusë dhe plani jonë i reformës së trafikut urban e parasheh që gjysma të jetë në pronësi publike, gjysma në pronësi private, pra neve na nevojiten 80 autobusë në sektorin publik e 80 në sektorin privat, por po ashtu nuk do të dallohet se cili është autobus i komunës e cili privat, sepse në fund të gjitha hyjnë në një ombrellë. 51 autobusë e kanë kryer punën se sa i përket sektorit publik, ajo po shihet menjëherë me numrin e udhëtarëve që i kanë këta autobusë të rinj. Janë të saktë, janë të pastër, qytetarët po i përdorin shumë dhe menjëherë kemi shënuar rritje në të hyrat. Ne, trafikun urban e kemi gjetur me 7 autobusë, 30 vjet komuna e Prishtinës nuk ka blerë autobusë, hera e fundit që ka blerë autobusë ka qenë viti 1987. Pra në 2017-ën ne kemi blerë 51 autobusë, kur e kemi marrë ne e kemi marrë që punëtorët s’kanë pasur rroga, 20 muaj s’kanë marrë rrogë, më 1 milionë e gjysmë euro borxh e copëtuar toka. Pra, çka kemi bërë ne, tash punëtorët marrin rroga, ju kanë rrit rrogat, 80 punëtorë të rijnë në punë, 300 do të arrijnë plotësisht, 700 mijë euro grant kemi marrë prej BERZh-it për me rregulluar planin e mobilitetit, për me na tregu se kur duhet të jenë linjat e reja, tash që po e bëjmë edhe anketën me qytetarë do t’i pyesim 3 700 qytetarë mbi lëvizjet në qytet për të kuptuar më mirë prej nga si edhe çfarë ore shkojnë në mënyrë që të ofrojmë shërbimin sa më të mirë. Po e them edhe njëherë, mos të ishte nënshkrimi i ministrit të Financave ne autobusët do t’i kishim edhe para një viti, një vit kemi pritur për atë nënshkrim për çështjet të cilat unë i konsideroj qëllimkëqija, sepse ne mund të mos pajtohemi se si mund të arrijmë tek një cak, por cakun e kemi të përbashkët. Por, nëse dikush mendon se ky nuk është caku dhe mendon se si me të penguar që qytetarët me thënë që Shpendi nuk e boni këtë, ose atë dhe mendoj që kjo është shumë e keqe edhe na pengon, jo mua sepse në fund të fundit ne vijmë e shkojmë, nesër mund të mos jem kryetar, por qytetarët e Prishtinës nuk e meritojnë një bllokadë të tillë nga Qeveria.

EO: Pse zgjodhët të merrni kredinë për të blerë autobusët?

Ahmeti: Po mënyra më e mirë për shkak se kredinë e kthejnë ata që e përdorin autobusin. Do të thotë politikat publike, të cilën edhe e kam ligjëruar janë dy mënyra, ose t’i blej i gjithë qyteti me taksa autobusët me ç’rast do të paguajnë edhe ata që nuk e përdorin autobusin, ose e merr kredinë edhe ne kemi arritur të bindim BERZh-in që të marrim kredi, dhe kjo kredi ka kamatë prej 0.5% gati se tash është negative për shkak të kamatave që janë në Evropë, me grejs periudhë që është 2 vjet me 10 vjet kredi dhe 700 mijë euro grante dhe kjo po i bie që ne këtë nuk mund ta quajmë kredi, sepse ne nuk po paguajmë as kamatë as kurrgjë. Ideja është që kompania po e ndërton shërbimin, po i blenë autobusët e rijnë dhe me punën që po e bënë do t’i kthejë paratë.

EO: A keni plane për korsitë e reja të autobusëve urban?

Ahmeti: Kjo po bëhet me planin e mobilitetit, është kontraktuar kompania “Mod Macdonald” është kompani e njohur angleze, është kompani e njohur për mobilitet dhe urbanizëm. Sot kur po flasim ata janë këtu për misionin e dytë që kanë, pritet që deri në prill ose në maj të përfundoj raporti dhe ata bashkë me neve do t’i dizajnojnë linjat e reja sipas nevojës. Ka shumë pjesë të qytetit që nuk kanë linja të autobusit dhe ato do të përfshihen pasi t’i anketojmë qytetarët. P.sh kemi “Velaninë”, “Kalabrinë”, kemi plotë lagje të qytetit që s’i kemi të mbuluara, mirëpo kemi edhe fshatrat. Mirëpo, me këtë plan të mobilitetit ne do ta dizajnojmë në atë mënyrë që t’i përgjigjet të gjitha formave të qytetarëve. Dhe një prej kushteve të BERZh-it është që të kemi një korsi të veçantë në qendër për autobusë e që sipas të gjitha gjasave mbetet të shohim këtë, por unaza qendrore kryesore, kjo që shkojnë prej Mensës së Studentëve deri të komuna dhe Pallati i Rinisë do të kthehet në rrugë një kahe, kurse një korsi do të jetë e veçantë vetëm për autobusët. Po e them me mendimin tim laik tani, sepse studimi mund të kërkojë diçka tjetër, por se është kusht i kredisë korsia e veçantë për autobusë është.

EO: Hapësirat për parkingje në Prishtinë vazhdon të jetë ende problem. Çfarë po ndodhë me projektin “Prishtina Parking”?

Ahmeti: Po, bllokimi kryesor me Kuvendin Komunal, problem që i kemi pas këtu, sepse ne jemi gati, ne i kemi identifikuar 4 700 vende të parkingut në qendrën 1, dhe thjesht ka mbetur themelimi i ndërmarrjes, por që këto probleme në kuvend kanë shkaktuar që mos të dihet kush çka po bënë dhe tashmë kemi filluar t’i marrim hapësirat e parkingut si ajo mbrapa Pallatit të Rinisë dhe do të bëjmë njëherë me “Horti Kulturën” që pastaj t’i transferohet krejt “Prishtina Parking” kur të jetë gati. Ne i kemi gati edhe marrëveshjet me operatorët e telefonisë mobile që të paguhet me sms, thjesht kanë mbetur vetëm edhe dy, tre hapa të vogël që kanë të bëjnë me softuerin që të fillojnë, por po e them që problemin kryesor e kemi pasur në Kuvendin Komunal.

EO: Njëra nga premtimet, ndoshta paksa “populliste”ka qenë se me të ardhur në pushtet do ta shisni Q7-shin e Mustafës. Pse nuk e keni nxjerrë, ta zëmë, në ankand dhe të shitet me “çmimin e tregut”?

Ahmeti: Ai kerr po kushton shtrenjtë, kisha me thënë që ai kerr është katastrofik për komunën e Prishtinës, sepse është blerë diku 80 mijë euro, e shpenzon 26 litra në 100 kilometra, kur e kemi qitur sipas ligjit ai ka kushtuar rreth 42 mijë euro e nuk kemi gjet, apo s’ka pasur njerëz të interesuar. Momentin kur e kam thënë në televizion që po gjejmë, janë paraqitur njerëz të cilët jo që iu nevojitet Q7-shi, por prej dashamirësisë që duan ta ndihmojnë dhe e dinë që është mirë me ja ble kerrin e që ato pare shkojnë në bamirësi. Kështu që tash jemi në procedura të prokurimit dhe e qesim në ankand edhe njëherë, do ta qes në shesh një javë. Në ankand shkon me procedura të prokurimit, por me Ligj të Prokurimit duhesh me qit në vlerën minimale dhe në qoftë se nuk ofron askush mbi atë vlerë nuk mundesh me e shit, e tash i ka ra çmimi edhe pak, po e them edhe njëherë ndoshta gjejmë edhe qytetarë më të interesuar. Kemi pasur edhe propozime interesante, Dardan Islami i Prishtinës ka kërkuar që ta blej e po donë me shku në krejt Kosovën me bë selfie, nga 1 euro me i mbledh paret për bamirësi që është ide interesante, por nuk e di nëse e lejon ligji.

EO: Një çështje tjetër për të cilën është kritikuar Komuna e Prishtinës është edhe ajo për punëtorët me kontratë mbi vepër. Nga shumë parti jeni kritikuar që komuna po mbanë, ose punëson militantë të LVV-së. A është zgjidhur ky problem?

Ahmeti: Unë e kam thënë shumë herë, por ata tash e përsërisin këtë, i kemi 55 punëtorë të çerdhes, të kuzhinës së çerdheve ata nuk janë militantë edhe kanë punuar për komunën qe 30 vjet. Por, në kohën e Isa Mustafës e kanë privatizuar, ia kanë dhënë “Beni Donës”, dhe ata si kam ardhur unë në pushtet, punëtorët kanë ardhur tek unë edhe më kanë thënë që po jetojnë në kushte shumë të këqija, dhe po na detyrojnë me punuar punë që nuk kanë të bëjnë me çerdhet e fëmijëve, na kemi dëshirë me punu, ku kemi punuar në komunë 20, 25 vjet, dhe i kem kthyer, por nuk po na e lejojnë me i shti me kontrata të rregullta dhe po duhet me kontrata mbi vepër, mandej ligji për legalizimin thotë që duhet të angazhojmë punëtorë shtesë, ne i dërgojmë Ministrisë së Financave kërkesa dhe ata nuk na lejojnë asnjë punëtorë shtesë. Si mund t’i legalizojmë 46 mijë ndërtime pa leje me këta punëtorë, kur prej vitit 1999 deri në 2013 janë dhënë 1 000 leje e tash me të njëjtit punëtorë po thu me i jep edhe 46 mijë leje, edhe ata janë ushtruar me legalizim, ata janë edhe studentë të arkitekturës, magjistra të cilët janë në procesin e legalizimit. Por të njëjtën kohë duhet të kuptojmë që për me i përfunduar disa procese, për me ec më shpejt duhet më i angazhuar një ose dy punëtorë shtesë, sepse kjo tash është e lejuar me ligj. Kur i kemi marrë artistët me kënduar për Vitin e Ri ata kanë qenë me kontrata mbi vepër, unë nuk e di edhe kam thënë që ndoshta Xuxi e këta janë militanta të Vetëvendosjes, por unë e di që jo. Domethënë kur i shohim krejt këto ndoshta ka angazhime për të ofruar angazhime më të mira, por ju jeni media mund të shkoni në kuzhinën e çerdheve dhe me i pyetur: qe sa vite punojnë në komunë, çfarë kontrata kanë, a jeni militanta, për kë punoni. Sepse është çudi që kjo është e vetmja gjë që e përmendin, sepse nuk ka tjetër gjë më çka me thënë. Për ato kontrata 100 mijë hetime më kanë dërguar, unë hetohna çdo ditë, çdo nënshkrim i imi kontrollohet ka 15 herë. Me mujt me i hetu ato dosjet që unë i kam dërguar në Prokurori kështu qysh edhe e hetojnë komunën e Prishtinës, moti do njerëz ishin shkuar në burg.

EO: Komuna e Prishtinës funksionon me një ligj i cili është i njëjtë edhe me komunat e tjera. Mos miratimi i Ligjit për Prishtinës sa po e dëmton kryeqytetin?

Ahmeti: Po ne jemi kryeqytet, por realisht me ligj nuk jemi më kryeqytet, sepse nuk kemi asnjë kompetencë shtesë, bile për me thënë kështu me tepruar kryetari i komunës së Leposaviqit ka më shumë kompetenca se sa që ka kryetari i komunës së Prishtinës, sepse i shtohen atij edhe kompetencat e rezervuara të cilat kanë të bëjnë me komunat të cilat janë komuna me shumicë serbe. Tashmë ka përfunduar drafti i ligjit, është punuar me DEMOS-in zviceran, ka pasur mosmarrëveshje mes neve dhe qeverisë së Kosovës, megjithatë ekziston një draft. Çka kanë bë tash këta e kanë fut në agjendën legjislative me 30 qershor të 2017-ës. Pse? Që deri sa të kalon shtatori, tetori që mos me pas këtë mandat fare me atë ligj, sepse kanë qejf, sepse kur e kanë menduar ligjin, më kanë menduar mua, e paramendone tash kur një ligj mendohet për persona specifik, e nuk mendohet për kryeqytetin. Një prej kërkesave ka qenë e këtij zv.ministrit të Pushtit Lokal, Bajram Gecajt, thoshte që duhet me shty ligjin për Prishtinën se thojke kryetari që jep leje për shatorra në shesh me mujt qeveria me ja heq. Tu i mendu protestat që u bënë atëherë për Hashim Thaçin president, e u dashtë me i thënë që Prishtina i ka shumë specifika, por njëra prej specifikave nuk është që Shpend Ahmeti është kryetar, specifikë për Prishtinën është se është kryeqytet, jo se e ka një person kryetar apo dikë që e ka në qeverinë qendrore. Por, insistimi ynë do të jetë që ligji të jetë i mirë për kryeqytetin e mos të mendohet për emër specifik, e as të mos mendohet për qeverisje kush mund të jetë, por të mendohet për ligjin se si mund të bëhet më i mirë. Të gjithë ne kështu jemi mikpritës të 70 mijë punëtorëve të administratës publike, të 70 mijë studentëve që janë nga 9 muaj në Prishtinë e me na thënë që qyteti i Prishtinës i ka 197 mijë banorë është absurde, sepse shërbimet ne i ofrojmë për të gjithë, bërllogun ne e mbledhim për të gjithë edhe për ata që krijojnë qeveri, edhe për studentët edhe për qytetarët që janë këtu 7 ditë në javë. Shërbimet shëndetësore ne po i ofrojmë për të gjitha komunat për rreth, ku ish dashtë që këto të jenë strikte vetëm për Prishtinën, por meqë jemi kryeqytet e që jemi të lumtur që jemi kryeqytet, por do të duhet që edhe buxheti të jetë shtesë edhe ta ndërtojmë spitalin tonë, edhe ta kemi policinë komunale për inspeksion për rregullim dhe rend, sepse unë sot me 20 policë të trafikut nuk kam kurrfarë mundësie të kontrollojmë problemet e mëdha në trafik, ose parking që mund të shkaktojnë, sepse ata policë nuk më raportojnë mua dhe së dyti 20 policë në një ndërrim në trafik nuk mjaftojnë në komunën e Prishtinës.

EO: Ju po thoni që inatet partiake po e bllokojnë ligjin për Prishtinën?

Ahmeti: Unë po them që është çudi qysh një kryetar komune që është ankuar nja 6 vjet që nuk ka ligj për Prishtinën dhe momentin që kur u bë kryeministër vet 3 vjet nuk e procedoj ligjin për të cilin 6 vjet u ankuar vet. Me tregoni mu pse? Isa Mustafa ka qenë kryetar komune 6 vjet dhe është ankuar që PDK-ja po ja bllokon Ligjin për Prishtinën, shkoj u bë kryeministër, e u bë gati 3 vjet që është kryeministër nuk e ka lëvizë, po e pret përfundimin e këtij mandati me kaluar në shpresa që ata pastaj me kaluar në kryetar. Por, po e them edhe njëherë natyrisht që janë inatet partiake e më shumë se sa inatet personale.

EO: Ju jeni aktivë shumë në rrjetet sociale, e sidomos në Facebook. Shpesh jeni kritikuar nga ‘analistët’ që ju po merreni vetëm me tema ‘të mëdha’, e në vend që të merreni me çështjet e komunës. Si do t’ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Ahmeti: Po unë asnjëherë nuk do të reduktohem në një qenie administrative, unë së pari jam politik dhe nuk jam një administrator, këtu unë punën e kam në komunë dhe e kam primare, por qëndrimet dhe mendimet janë tjera. Së pari unë kam qenë edhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe jam person politik. Si qytetar i këtij vendi unë do të reagojë gjithmonë për vendimet të cilat janë të padrejta. Qeveria kish pas qejf që unë mos me fol kurrë keq për ta, mua me ma mbyllë gojën, e tash kur po foli për autobusa edhe atubousat po e pengojnë. Tash po foli për ujin edhe uji po e pengon, pra natyrisht që do të flas, do të flas kundër korrupsionit, do të flas gjithmonë në interesa të shtetit derisa unë të mendoj që ky është mendimi im së paku, dhe përveç kësaj unë edhe e përfaqësoj një elektorat, kemi konsekuencë tonën të cilën e përfaqësojmë. Edhe si subjekt politik edhe si personalitet asnjëherë nuk do të ndalem së komentuari edhe ata analistë që më kritikojnë mua edhe unë jua bëjë pyetjen e njëjtë: pse po folni ju për çështjen, pse po keni ju të drejtë më shumë se unë, a jeni ju më të thirrur, a keni më shumë të drejta apo përfaqësoni më shumë, apo që është kryetar i komunës së Prishtinës nuk guxon me u merr me diçka tjetër hiq, por vetëm me komunën e Prishtinës? Në fund të fundit ne po jetojmë në Republikën e Kosovës, këta qytetarë të Prishtinës që unë i përfaqësoj preken çdo ditë prej vendimeve të kësaj qeverie edhe kur të jemi të prekur, dhe kur shkojmë në dialog me Serbinë dhe kur kryetari i Leposaviqit ka të drejta më shumë se unë si kryetar i Prishtinës, po preket qytetari i Prishtinës dhe natyrisht që do të flas dhe asnjëherë nuk do të ndalem, sepse unë pikë së pari jam njeri politik.

EO: Me gjithë këtë aktivitet tuajin a keni menduar ndonjëherë për kryeministër apo ky post është vetëm për Albin Kurtin?

Ahmeti: Jo, postet nuk janë të rezervuara për askënd, as në komunë, e as në qeveri, por ne kemi filluar një punë në Prishtinë, e unë kisha pas punë me i përfunduar me kapacitetet që unë mundem. Kjo do të thotë që mund të vijë koha që dikush të ofroj më shumë për Prishtinën se sa që ofroj unë. Por, mendoj që tash është mirë që të fokusohem në Komunën e Prishtinës, dhe t’i fokusohemi dhe të vazhdojmë të gjitha këto projekte që i kemi filluar. D.m.th që në mandatin e parë kemi hasur në shumë vështirësi, por përkundër kësaj po i përmbushim 12 premtimet që i kemi pasur. Mendoj që mandati i dytë ka me qenë edhe më i lehtë edhe më dinamik, dhe po them se në qoftë se na japin besimin qytetarët edhe me Kuvendin Komunal, besoj që reformat do të jenë edhe më të shpejta.

Intervistoi: Kaltrina Zymberi

Të ngjashme