Eksperiti i emergjencave, Tahir Ahmeti, në një intervistë për Ekonomia Oniline, ka thënë se fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme dhe ndodhin vazhdimisht, por institucionet duhet të jenë të gatshme për t’u përballur me to në bashkëpunim me qytetarët.
Ai kujtoi se stuhia e dy ditëve më parë, përveç dëmeve materiale, pati edhe pasoja fatale, pasi një qytetar humbi jetën në komunën e Vitisë.
“Po, fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme dhe ato ndodhin gjithmonë. Mirëpo duhet që gjithmonë edhe institucionet të jenë të gatshme, qoftë në bashkëpunim me qytetarët, qoftë për të përballuar këto ndryshime apo këto fenomene natyrore. Në mbarë botën kemi pasur rritje të këtyre fenomeneve natyrore nga ndryshimet klimatike, edhe Kosova është e përfshirë nga këto ndryshime klimatike dhe po shohim që po kemi stuhitë e ndryshme sidomos ditët e fundit, me përmasa mjaft të mëdha, me era të fuqishme. Siç e pamë edhe të martën, përveç dëmeve materiale, fatkeqësisht kishim edhe një qytetar i cili humbi jetën në komunen e Vitisë dhe kjo e bën situatën edhe më të rënduar. Pra, fatkeqësitë natyrore ndodhin gjithmonë dhe ato nuk mund t’i parandalojmë. Gjithësesi, secili duhet që të bëjmë që kur të ndodhin, pasojat të jenë sa më të vogla”, tha ai.
Duke folur për rreziqet nga erërat e forta, ai u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura, pranë pemëve, objekteve në ndërtim dhe rrjeteve elektrike.
“Po, erat e forta që po fryjnë janë të intensitetit mjaft të lartë dhe qytetarët duhet të dinë që kur të fryjnë erat e forta, atëherë në vendet e hapura mund të shkulen drunj të ndryshëm apo pemë të ndryshme, pastaj objektet në ndërtim mund të mbarten mund të shkulen nëse është intensiteti i lartë i këtyre erave, mund të shkulen edhe pullazet dhe këto të gjitha pastaj buildboard-et të ndryshme, rrjeti elektrik mund të dëmtohet, bllokohet komunikacioni dhe qytetarët duhet të dinë që nëse veç kanë paralajmërim për fatkeqësi të ndryshme apo për këto stuhi, të mos qëndrojnë afër pemëve, të mos qëndrojnë afër ndërtesave që janë duke u ndërtuar, afër rrjeteve elektrike, sepse të gjitha mund të rrezikojnë jetën e tyre. Ndërsa nëse janë në ambiente të hapura apo nëse janë në makinë kur të ndodhë në fazën e parë, të mundohen që të ulin shpejtësinë, të mos rrinë afër pemëve me makinë, në mënyrë që pasojat për ta të jenë sa më të vogla. Por çka është më e rëndësishme, kur kemi paralajmërim dhe paralajmërimin e kemi pasur nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës atëherë duhet që nëse nuk e kemi patjetër, të mos dalim në atë periudhë apo të qëndrojmë në shtëpi dhe të mos bëjmë lëvizje nëse veç nuk kemi nevojë”, tha ai për Ekonomia Online.
Ahmeti theksoi se nuk ka një rajon të caktuar që është më i rrezikuar, por dy ditë më parë më të goditura ishin Suhareka dhe Vitia.
“Nuk ka rajon të caktuar, mirëpo e pamë që gjatë ditës së djeshme rajoni i Suharekës ishte më i rrezikuar për shkak temperaturave, për shkak të erave mjaftë të forta dhe këtyre stuhive erat arritën shpejtësinë deri në 85-86 kilometra në orë në rajonin e Suharekës. E pamë që ishte mjaft e rënduar, pastaj ishte rajoni i Vitisë, por edhe rajonet e tjera ishin të ekspozuara nga këto stuhi. Pra qytetarët gjithmonë duhet që të ndjekin paralajmërimet e institucioneve në mënyrë që pasojat të kenë rrezistencë më të vogël dhe të mos rrezikohet jeta e tyre”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, institucionet lokale dhe qendrore duhet të jenë vazhdimisht të përgatitura për fatkeqësi natyrore dhe të investojnë në kapacitetet e emergjencave.
“Jo vetëm stuhitë, institucionet në vazhdimësi duhet të jenë të përgatitura për fatkeqësitë natyrore sepse ato mund të ndodhin gjithmonë. Dhe së bashku me qytetarët të kenë një koordinim të mirë, në mënyrë që të kalojnë këto stuhi apo këto fatkeqësi pa pasoja. Kur jemi te institucionet, atëherë si ato lokale, pra komunat, si ato qendrore gjithmonë duhet në vazhdimësi të punojnë në këtë aspekt. Institucionet komunale apo kumunat përmes drejtorive të emergjencave dhe sigurisë duhet që ligjërisht të kenë dokumentet e vlerësimit të rrezikut, pastaj planet emergjente të përditësuara, të bëjnë pastrimin apo krasitjen e pemëve nëpër qytete aty ku mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ambientin e hapur të kenë parasysh. Sepse kto po i dëmtojnë qoftë popullatën, qoftë makina të ndryshme qe i kemi parë, por çfarë është më e keqja po rrezikojnë jetën e qytetarëve. Ndërsa institucionet qendrore në vazhdimësi duhet të punojnë dhe të ndajnë buxhet të mjaftueshëm që të investojnë në kapacitetet dhe burimet njerëzore të emergjencave, në këtë rast të zjarrfikësve që janë intervenuesit e parë, dhe të ndajnë mjetet edhe për pajisje që ti kenë sa më të mira, në mënyrë që kur të intervenojnë të mund ta kryejnë punën e tyre në dobi të qytetarëve dhe të vendit”, u shpreh ai.
Ai përsëriti se qytetarët duhet të shmangin ekspozimin në ambiente të jashtme gjatë stuhive dhe të sigurojnë gjësendet që mund të fluturojnë nga oborret apo ballkonet.
“E thashë më herët këtë aspekt se çfarë duhet të bëjnë qytetarët. Më e rëndësishmja është që të mos ekspozohen në ambiente të jashtme kur jemi në fazën e stuhisë. Por nëse janë në shtëpi apo në oborret e tyre, gjësendet që mund të shkulen apo që mund të shkulën apo mund të fluturojnë, mundësisht t’i kontrollojnë apo t’i vendosin në vende më të përshtatshme, pastaj edhe gjësendet nëpër ballkone, në mënyrë që ato të mos ekspozohen dhe të presim që të kalojë stuhia. Pra, masat i thamë edhe më herët nëse janë në ambiente të jashtme, të mos rrinë afër pemëve apo afër objekteve që mund të bien mbi kokën e tyre dhe të lendohen apo të rrezikojnë jetën e tyre”, përfundoi Ahmeti.
