Ahmeti kërkon mbështetjen zyrtare të Helsinkut për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, zonjën Pia Stjernvall. Zhvillimet politike në Kosovë, e në veçanti procesi i dialogut me Serbinë ishin temat e takimit të zhvilluar në selinë qendrore të Partisë Socialdemokrate në Prishtinë.

Përderisa ambasadorja finlandeze shprehu shqetësimet e saj lidhur me mungesën e konsensusit të spektrit politik për dialogun, kryetari Ahmeti e njoftoi atë mbi propozimin e PSD-së për platformën e përbashkët të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës. Kreu i PSD-së nënvizoi se Presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitmitet për ta bartur procesin e dialogut me Serbinë, e se kjo përgjegjësi i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Duke e falenderuar ndihmën përgjatë viteve të shtetit finalndez për Kosovën, Shpend Ahmeti kërkoi mbështetjen e Helsinkut zyrtar për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kryetari i Partisë Socialdemokrate njoftoi po ashtu ambasadorën finlandeze mbi parimet kryesore politike, ekonomike e sociale të Partisë Socialdemokrate; si dhe për konsolidimin e saj strukturor dhe organizativ.

Ambasadorja Pia Stjernvall theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës me Finlandën dhe gatitshmërinë e saj për të kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejme dypalësh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme