Në pranverë të vitit 2018 pritet të nisë ndërtimi i objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN). Këtë zotim e ka dhënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të hënën, pas takimit që e ka zhvilluar me përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, drejtues të FSHMN-së, dhe me përfaqësues të studentëve të këtij fakulteti.
Takimi ka ardhur si rezultat i një proteste të mbajtur javën e kaluar nga studentë të FSHMN-së, drejtues të këtij fakulteti e përfaqësues të UP-së, të cilët kërkonin që të caktohet sa më shpejt lokacioni për ndërtimin e objektit të këtij fakulteti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ahmeti i ka prezantuar dy opsione për ndërtimin e objektit të këtij fakulteti, njëri afër Fakultetit Teknik dhe tjetri në kampusin universitar. Opsioni i dytë, sipas tij, ka disa probleme për t’u realizuar.