Ahmeti në Ditën e Tokës: Ruajtja e ambientit betejë e gjatë, Prishtina mbjell sot 800 drunj

Prishtinë | 22 Pri 2018 | 14:33 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i është bashkuar nismës për pastrim dhe mbjellje të drunjve në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, sot në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

Ai tha se pastrimi i ambientit nuk është betejë që përfundon për një ditë, por duhet të ketë kujdes të vazhdueshëm, raporton Ekonomia Online.

“Kjo nuk është betejë një ditore, dhe nuk është vetëm një ditë por sot është dita e tokës që shënohet në gjithë botën. Ne sot kemi organizuar disa aktivitete përfshirë këtu mbjelljen e 800 drunjve të cilat janë donacione nga bizneset. Kjo kur ja shtojmë edhe numrin që gjatë vitit komuna do ti mbjellë rreth 3500 i bënë mbi 4000 drunj që i mbjellim sivjet. Ndërsa shumë shpejt ja nisim edhe me iniciativë e mbjelljes së 38.000 drunjve të cilën synojmë ta bëjmë me një fushatë gjithëpërfshirëse. Ideja është që ta rrisim gjelbërimin, hapësirat e gjelbërta”, tha ai.

Ai ndërkaq përmendi disa nga aktivitetet që janë mbajtur sot në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

“Sot kemi pasur edhe joga në Gërmi, kemi joga në Sheshin “Zahir Pajaziti” kemi mbjell lule, ka aspekti edukativ për fëmijët për ti mësuar me rëndësinë e ambientit. Pra është mirë që të na bie në mend për ambientin jo vetëm kur është dimrit ndotja e ajrit më e lartë por edhe në këtë ditë të bukur pranvere ta kujtojmë që ndotja mund të zvogëlohet me mbjelljen e drunjve, me mos përdorimin e makinave dhe natyrisht me projektet që jemi duke i bërë, me zgjerimin e ngrohjes qendrore e shumë të tjera”, tha ai.

Ndërkaq Yllka Mustafa pjesëmarrëse në këtë nismë për pastrim dhe mbjellje të drunjve u bëri thirrje qytetarëve që të kenë më shumë kujdes për ambientin, raporton Ekonomia Online.

“Sot kemi dal për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Tokës për të pastruar dhe për të mbjellur drunj. Është një nismë e mirë e cila do të duhej të mbahej më shpesh. Ne si Merdian Express kemi mbajtur aktivitete të tilla edhe më herët, ku kemi pastruar të gjitha lagjet ku ndodhet “Merdian Express”. Natyrisht aktivitete të tilla do të duhej të ishin më të shpeshta”,tha ajo.

Të ngjashme