Bashkëkryesuesi i delegacionit qeveritar për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, pas takimit në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se në këtë takim kanë bërë të qartë qëndrimin e palës kosovare.
Ahmeti shtoi se Mogherini ka kërkuar nga pala kosovare që të hiqet taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë për rifillimin e dialogut me Serbinë.
“Ne prezantuam delegacionin shtetëror, ligjin dhe Rezolutën. Ne i bënë të qartë se cili është roli i këtij ekipi. Ne shprehem edhe njëherë gatishmërinë që të ulemi dhe të bisedojmë për të gjitha temat e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të cilat do të qonin në një marrëveshje, e që kushti kryesor është njohja reciproke”, tha Ahmeti pas takimit në Bruksel.
“Nga Mogherini na u bë e qartë se po punohet në atë drejtim, pra marrëveshja që do të arrihej do të ishte normalizuese dhe me normalizim nënkuptojmë që nuk do të ketë më çështje të hapura dhe kjo mbetet mes dy shteteve se a mund të arrijnë marrëveshje. Ideja është që të punohet me një orar më të ngjeshur në këtë gjysmë të vitit për të arritur një marrëveshje”.
“Është e qartë se ka pasur komunikim edhe me Uashingtonin dhe Moskën në këtë drejtim që të mund të arrihet një marrëveshje. Ia bëmë të qartë që delegacioni shtetëror nuk është mbështetur nga askush U ngrit edhe çështja e taksës dhe se Serbia e potencoi se nuk do të ketë takime pa u hequr taksa , por edhe ne ia bëmë të qartë gjithë atë që po e bënë Serbia”.
Më herët, përfaqësuesit e Ekipit negociator kanë shprehur besimin që rezultati i dialogut të Brukselit duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, gjë që do të mundësonte edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Formimi i Ekipit negociator ka ardhur si rezultat i synimit të Qeverisë së Kosovës që ta zbehë rolin udhëheqës të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë, pas idesë së këtij të fundit për “korrigjim” të kufirit, si mënyrë e arritjes së një marrëveshje paqësore me Serbinë. Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe nga partitë në opozitë.
Më 15 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Ndërkaq, më 24 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, të cilin pritet ta dërgojë për miratim në Kuvend. Por, dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk i kanë dhënë mbështetjen as rezolutës për dialogun e as Ekipit negociator.