Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Prishtinë, Lirak Çelaj ka thënë se kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, duhet t’u kërkojë falje një grupi qytetarësh që mbrëmë i bënë një vizitë tek shtëpia e tij.
Banorët e banesave në lagjen Dardania, nga të cilët komuna ka kërkuar që t’i lirojnë për shkak se i kanë uzurpuar, të martën mbrëma shkuan të kërkojnë llogari nga Ahmeti për veprimet që ka ndërmarrë institucioni që drejton, njofton Klan Kosova.
Nga ky takim ka rrjedhur një video ku shihet diskutim me tone të larta mes kryetarit Ahmeti dhe një grupi banorësh të atyre banesave. Për fjalët e përdorura gjatë këtij ballafaqimi, Çelaj ka thënë se Ahmeti duhet të kërkojë falje.
“Shpend Ahmeti ka rënë në gropën në të cilën e ka hapur vet. Ai ka rënë pre e një iniciative të tillë, jo rastësisht thuhet se kush jeton prej shpatës, nga shpata vdes. Pa marrë parasysh kush e ka kërkuar, ai do duhej të fliste në mënyrë më të pjekur. Ai është komunikim i një niveli të ulët, ka pasur edhe debat ofendues ku në mesin e tyre ka pasur edhe fëmijë përveç grave. Ahmeti u ka borxh atyre grave një kërkim falje për shkak të gjuhës së komunikimit”.
Ai ka deklaruar se nuk është mirë që të shkohet tek shtëpitë e liderëve, por që është vet Lëvizja Vetëvendosje që e ka nisur këtë praktikë, njofton Klan Kosova.
“Nuk është praktikë e mirë të shkohet në shtëpitë private liderëve cilitdo, por vet Vetëvendosje e ka nisur këtë praktikë. E pa dyshim që do duhet të ballafaqohet me diçka që vet e ka filluar.
Ai flet me emra të përvetshëm, me fjalë të kafeve të pabaza. Cdo nivel cdo debat që ai ka zhvilluar është i një niveli të nxënësve të shkollës fillore, kur përlahen në klasë. Është një debat i nivelit të ulët”.
“Shpend Ahmeti po e tradhton vetveten, pasi ai del iu thotë që nuk do të dilni nga aty. Askush nuk ndihet mirë kur dikush i vjen tek shtëpia e tij private, por sigurisht që nuk do të kisha debatuar në këtë gjuhë në këtë rast. Mbase do t’i kisha ftuar në shtëpi dhe do të kisha diskutuar me ta. Coftë me kulturën perëndimore apo sidocoftë mikpritja është shumë e rëndësishme.
Gjuha e tij do të duhej më mikpritëse. Sepse dihet që tek shqiptarët edhe armiku nëse vjen atij i ofrohet mikpritje”