Një delegacion me rreth 20 bizneseve nga Bullgaria, i kryesuar nga Atanas Enchev, atashe ekonomik në Ministrinë e Ekonomisë në Bullgari për Kosovë, kanë vizituar Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku janë pritur nga kryetari Agim Shahini, dhe kanë diskutuar lidhur me mundësinë e thellimit të bashkëpunimit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, i ka informuar bizneset bullgare lidhur me potencialet dhe mundësitë e shumta që ofron Kosova për investime.
“Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për investime, pasiqë ekonomia ishte shkatërruar gjatë luftës dhe e cila dita ditës po lulëzon. Vendi jonë ofron kushte e lehtësira të favorshme për investime, ku taksat janë më të ulëtat në rajon, fuqia më e re, e aftë dhe përgatitur profesionalisht për punë dhe kushte tjera të cilat janë të dobishme për investitorët”, tha ai.
Shahini ka kërkuar nga bizneset bullgarie që të investojnë në Kosovë, pasi që vendi i ynë është mundësi e re për investime dhe për të bërë biznes.
Kurse, Atanas Enchev, atashe ekonomik, tha se do të bëjnë gjithçka që në Kosovë të sjellin investitorë nga Bullgaria me qëllim që edhe të zhvillojnë ekonominë.
“Së shpejti do të hapim edhe një zyrë ekonomike në Kosovë, e cila do të ndihmoj edhe më shumë lidhjet ndërmjet bizneseve të dy vendeve. Përvojat e bashkëpunimi duhet të rriten dhe kjo është arsyeja që sot jemi këtu se bashku me bizneset bullgare dhe krahas saj të rriten edhe eksportet apo importet ndërmjet dy vendeve”, tha Enchev.
Sipas tij, edhe bizneset nga Kosova pas takimeve me bizneset bullgare mund të gjejnë tregje që prodhimet e tyre t’i plasojnë në tregun e Bullgarisë.
Konsulli nderit i shtetit bullgar në Kosovë Abedin Hasani, tha se nga dita e parë që është emëruar në këtë pozitë, ka arritur që të rrisin bashkëpunimin ndërmjet bizneseve të dy vendeve dhe do të vazhdojmë këtë mision të përbashkët të forcojmë edhe më shumë.
Nga ana tjetër edhe bizneset nga Bullgaria shfaqen interesim për investime me sjelljen e një pjese të prodhimit në Kosovë, pasi që kuptuan që fuqia punëtore është e lirë dhe aftë profesionalisht për punë. Nga ana tjetër u interesuan që edhe punonjësit nga Kosova të shkojnë e punojnë në Bullgari.
Më pas janë zhvilluar takime B2B ndërmjet bizneseve të dy vendeve që ishin nga sektori i tregtisë, prodhimit e shërbimeve, ku dhe u arritën disa marrëveshje .
Uran Thaqi nga kompania Viva Fresh, tha se kjo mundësi që ofron AKB-ja është e mirëseardhur për kompaninë tonë dhe se do të vazhdojmë bashkëpunimin me kompanitë bullgare. Krahas zgjerimit të rrjetit tonë, shpresojmë që pas Shqipërisë e Maqedonisë do të jemi edhe në Bullgari.