AKB-ja promovon Kosovën në Spanjë

Prishtinë | 24 Shk 2017 | 15:19 | Nga

Një delegacion i AKB-së i kryesuar nga kryetari Agim Shahini po qëndron për herë të parë në vizitë në Spanjë, i cili u prit nga zv.presidenti, Humberto Carrasco Gonzales dhe drejtori gjeneral i Federatës së Bizneseve, Miguel Madruga Sanz dhe përfaqësues të kompanive dhe korporatave private dhe publike të cilët u informuan hollësisht për kushtet dhe mundësitë që ofron Kosova për bashkëpunim në të gjitha fushat.

Kreu i AKB-së, Shahini u fokusua sidomos në sferën e ekonomisë dhe i informoi nikoqirët për ndërmarrësit kosovar, klimën e investimeve dhe legjislacionin në fuqi, i cili është shumë i përshtatshëm dhe tërheqës për investitorët e huaj dhe konkurrues në Ballkan.

Shahini u përgjigj edhe në pyetjet e përfaqësuesve të korporatave dhe bizneseve spanjolle të cilat në fokus kishin sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë, tregtisë, sistemi shëndetësor dhe shumë fusha të tjera me interes për korporatat spanjolle.

“Nga përgjigjet e kryetarit u vërejt një interesim tepër i madh për bartjen e investimeve dhe mallrave spanjolle në Kosovë por edhe në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të këtij takimi AKB i bëri një ftesë Zyrës për Federatën e Bizneseve të Toledos për të vizituar vendin tonë dhe u mirëprit shumë kjo ftesë, ku u dakorduan për bashkëpunim të ndërsjellë mes institucioneve biznesore e kompanive të Spanjës dhe Kosovës. Federata e Bizneseve dhe AKB-ja u dakorduan që të kenë komunikim me interes reciprok.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme