AKB kërkon heqjen e barrierave tregtare me Bosnjën

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 15:43 | Nga

Delegacioni i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) i kryesuar nga kryetari, Agim Shahini, është pritur nga Amir Zukiq, ministri i Zhvillimit i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës me të cilin biseduan për bashkëpunim ekonomik në mes dy shteteve.

Amir Zukiq, ministër i Zhvillimit i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës tha se janë shumë të interesuar që ta rrisin nivelin e bashkëpunimit me qëllim të afrimit të popujve tonë edhe më shumë, “sepse ne kemi një traditë të vjetër miqësie dhe ky duhet të jetë një udhërrëfyes i joni i përbashkët për rritjen e bashkëpunimit dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve të cilat viteve të fundit kanë pas rënie”.

Ai tha se janë të hapur që të bashkëpunojnë në të ardhmen me të gjitha nivelet institucionale të Kosovës.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së shprehi gatishmërinë e bizneseve të Kosovës për të bashkëpunuar edhe më shumë me shtetin e Bosnjës për të mirën e dy vendeve.

“Por problem i lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave të dy vendeve ka ndikuar negativisht në shkëmbimet tregtare dhe kjo do të vazhdojë edhe me tutje nëse udhëheqësit institucionalë të dy vendeve nuk ulen për të eliminuar këtë barrierë artificiale krejtësisht të panevojshme në mes Kosovës dhe Bosnjës”, tha ai.

Gjatë qëndrimit në Sarajevë delegacioni i Kosovës vizitoi edhe diasporën shqiptare dhe Konsullatën e përgjithshme të Shqipërisë, ku u njoftuam për së afërmi nga, Muharrem Zejnullahu, konsull i përgjithshëm për problemet dhe sfidat që diaspora shqiptare i ka në Bosnje, por edhe në lëvizjen e lirë të tyre për në Kosovë.

Ai njoftoi se Sarajeva që nga Pranvera e këtij viti është në pritje të përgjigjes të Prishtinës për një takim në nivel të zëvendësministrave në vendin neutral në Podgoricë për të zgjedhur këto probleme në mes dy vendeve dhe kjo nuk po ndodhë.

Ai tha se qytetarët e Kosovës të cilët punojnë dhe jetojnë këtu dhe të cilët nuk kanë dokumente të Kosovës i nënshtrohen regjimit të vizave për në shtetin e vet.

Ndërsa, Shahini tha se janë në dijeni për të gjitha këto shqetësime dhe “ju e dini se Kosova këtë masë të reciprocitetit me Bosnjën e ka vendosur pas shumë viteve që këta nuk i kanë pranuar dokumentet e Kosovës dhe si rezultat i kësaj kanë vënë regjim të vizave për të gjithë qytetarët e Bosnjës e që këtu janë prekur edhe diaspora jonë”.

Shahini shtoi se këto shqetësime do t’i përcjellin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe institucionet e Kosovës për të bërë zgjidhje, “por edhe ju duhet të bëni më shumë presion në institucionet qeveritare në Bosnje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme