AKB kërkon të rishqyrtohen tarifat progresive të energjisë elektrike

Prishtinë | 27 Sht 2016 | 14:50 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) kërkon nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) që t’i rishqyrtojë praktikat e aplikimit të tarifave të energjisë elektrike dhe t’i harmonizojë ato me Ligjin për Energjinë Elektrike, Metodologjinë e Tarifave të Energjisë Elektrike, si dhe me Legjislacionin e BE-së për energji elektrike. Gjithashtu, tarifat e energjisë elektrike duhet të harmonizohen me logjikën ekonomike dhe praktikat e ekonomisë së tregut të lirë.

Çmimet progresive të energjisë elektrike për bizneset dhe konsumatorët janë të papranueshme, thanë përfaqësues të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), në një konferencë të organizuar sot me gazetarë.

Suat Berisha, nënkryetar i AKB-së, tha se kjo organizatë në vazhdimësi ka shprehur shqetësimet rreth problemeve të komunitetit të biznesit me energjinë elektrike, për mungesë dhe furnizim të pamjaftueshëm të bizneseve, por edhe të qytetarëve me energji elektrike, si dhe dëmet e shumta të shkaktuara në pajisje dhe teknologji, për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike.

Ai tregoi se kanë parashtruar dhe kërkesë zyrtare në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që të shqyrtojë impaktin e tarifave progresive të energjisë elektrike.

“Me themelimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, në vitin 2004, si organ i pavarur për rregullimin e aktiviteteve në sektorin e energjisë, në veçanti energjisë elektrike, komuniteti i biznesit si është ballafaquar me një situatë edhe më paradoksale, e cila është në kundërshtim me parimet themelore të doktrinës ekonomike dhe ekonomisë së tregut të lirë”, tha Berisha,

Sipas tij, aplikimi i disa rregullativave kanë vështirësuar edhe më tepër aktivitetin e bizneseve. “Aplikimi i tarifave progresive me logjikën e çuditshme sa më shumë KW të harxhuar, çmimi më i lartë për 1 KW/h; aplikimi i Maxi Grafit – rikyçjes në sistemin energjetik (për shkak të ndërprerjeve të shkaktuara nga ofruesi i energjisë elektrike, si dhe parapagimi i energjisë elektrike, për furnizim të rregullt të energjisë elektrike. Që të tri këto rregullativa janë në kundërshtim me Ligjin mbi Energjinë Elektrike dhe me metodologjinë e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike, si dhe me vetë direktivat e Aquis Comunitare (Legjislacionit të BE-së për Energjinë Elektrike)”.

“Aplikimi i tarifave progresive (deri 200kw, deri 400kw, deri 600 kw dhe mbi 600kw), komunitetit të bizneseve, por edhe qytetarëve, iu shkakton rritje të çmimit të energjisë elektrike deri në trefish nga çmimi fillestar, si dhe është në kundërshtim me doktrinën dhe logjikën ekonomike, që do të duhej të ishte: ‘sa më tepër kilovatë të harxhosh, çmimi për 1kw/h duhet të jetë më i ulët”, tha Suat Berisha.

Nënkryetari i AKB-së theksoi se logjika ekonomike dhe praktikat e botës së biznesit, kategorizojnë konsumatorët sipas sasisë së konsumuar dhe favorizojnë konsumatorë më të mëdhenj sipas kategorive, me çmime dhe kushte më të mira.

“Andaj, aplikimi i tarifave progresive është në kundërshtim me logjikën ekonomike dhe praktikat e ekonomisë së tregut të lirë dhe të njëjtat përçojnë mesazh jo të mirë te investitorët vendës dhe të jashtëm, të cilëve sikur ju thuhet: ‘Mos investoni kapacitete të mëdha prodhuese, sepse sa më tepër të harxhoni energji elektrike, ne ju trefishojmë çmimin për 1kw/h’”.

Ai shtoi se edhe aplikimi i Maxi Grafit, gjithashtu është ngarkesë e padrejtë ndaj biznese, ngase varësisht nga fuqia instaluese e biznesit, për çdo rikyçje ngarkohet me kw/h, të paharxhuara dhe atë për shkak të ndërprerjeve të shkaktuara nga KEK-u, e jo nga konsumatori.

“Andaj, aplikimi i Maxi Grafit, gjithashtu, është i palogjikshëm dhe jo i drejtë, ngase bizneset nuk janë fajtor për ndërprerjet e energjisë elektrike. Ndërprerjet i shkakton Korporata Energjetike e Kosovës”.

Më tutje, Berisha ka theksuar se edhe aplikimi i parapagimit, për furnizim të rregullt me energji elektrike, gjithashtu është në kundërshtim me logjikën ekonomike dhe praktikat e ekonomisë së tregut të lirë, si dhe kostos së kapitalit. Sipas tij bizneset duhet të favorizohen në furnizim sa më të rregullt, por edhe me çmime më të favorshme, për shkak të parapagimit (kostos së kapitalit), e jo vetëm për shkak të furnizimit të rregullt, të cilën edhe ashtu e ka obligim KEK-u, për shkak marrëdhënieve kontraktuale.

Sipas Berishës, harmonizimi i tarifave të energjisë elektrike me rregullativat vendore dhe të BE-së të bazuara në ekonominë e tregut të lirë, do të krijonin kushte më normale për furnizim të bizneseve vendore me energji elektrike, si dhe do të përçonin mesazh të mirë dhe besueshmëri më të madhe te investitorët vendës, e posaçërisht ata të jashtëm për investime të reja në Kosovë.

Aleanca Kosovare e Bizneseve inkurajon KKZHE-në dhe anëtarët e saj, për një bashkëveprim dhe bashkërenditje në raport me ZRRE-në për krijimin e një klime më të volitshme edhe në sektorin e energjisë, e cila do të kishte impakt në nxitje të investimeve vendore dhe të huaja direkte, sikurse dhe në rritje ekonomike të vendit.

Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës “Konsumatori”, tha se tarifat progresive të energjisë lëre që janë të papërballueshme për biznesin, por edhe për qytetarin konsumator.

“Stërngarkimi i bizneseve me taksa e tarifa të larta ndikon edhe tek xhepi i konsumatorëve si konsumues të prodhimeve vendore”, tha Kaçaniku.

Sipas tij, thëniet se nuk do të ketë rritje të çmimeve të rrymës elektrike dolën gënjeshtër. “Konsumatorët kosovarë po i mbulojnë të gjitha humbjet në veri të vendit, sikurse dhe ato të ‘dostave’. Konsumatori nuk duron më”, tha Kaçaniku.

Muharrem Osmani, prodhues i detergjenteve “Liquide Euroocomerc”, u ankua për ndërprerje ta energjisë dhe atë pa kurrfarë paralajmërimi, e të cilat po u shkaktojnë humbje në të gjitha aspektet.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, tha se në muajin gusht 2016 gjatë takimit edhe me kryetarin e Kuvendit te Kosovës, i kanë adresuar problemet dhe sfidat më të shpeshta të cilat raportohen nga prodhuesit vendës që kanë të bëjnë me energjinë elektrike.

“Duhet të kemi reforma drastike në strukturën tarifore nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Meqenëse prodhuesit janë subjekt i tarifave dimërore dhe verore, shumë prodhues ankohen për faktin se ka raste kur faturat e energjisë elektrike gjatë dimrit janë sa dyfishi i atyre të verës, përkundër konsumimit të njëjtë të energjisë”, tha Ajdini.

Prandaj, AKB fton Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që të rishikojë strukturën tarifore, në mënyrë që tarifat e biznesit të jenë uniforme gjatë gjithë vitit. Nëse vlerësohet se ka nevojë që të subvencionohet energjia elektrike për një kategori, sipas Ajdinit, duhet të shqyrtohen modalitete të tjera se si një gjë e tillë mund të bëhet pa rritur ngarkesën tek sektori privat, si për shembull, duke ulur tantiemën në linjit.

AKB1

Të ngjashme