AKB: Nacionalizmi ekonomik kombëtar iu mungon shqiptarëve

Prishtinë | 14 Nën 2016 | 15:26 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka nisur “Javët e Biznesit Kosovar 2016”, me moton “Unë konsumoj produkte vendore po Ju?”. Aktiviteti ka qëllim të promovojë ekonominë, rritjen e konsumimit të prodhimeve kosovare, stimulimin e biznesit vendor, përmirësimin e cilësisë së prodhimeve sipas standardeve më të larta dhe të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë të krijojë mjedis më të favorshëm për zhvillim ekonomik.

“Konsumimi i prodhimeve vendëse nuk është vetëm vlerë ekonomike, por edhe vlerë kombëtare dhe që qytetarët duhet t’i japin prioritet konsumimit të prodhimeve vendore, nga të cilat pos përfitimit dhe rritjes së prodhimtarisë vendore, rritet edhe mirëqenia qytetare, punësimi dhe zhvillimi ekonomik i shtetit”, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Ai shtoi se rreth pesë miliardë euro të qytetarëve tanë eksportohen në Serbi, “e cila na shkatërroi e po ndërtohet me para të qytetarëve të Kosovës”. “Nacionalizmi ekonomik kombëtar iu mungon shqiptarëve”, u shpreh Shahini.

Sipas tij, pa zhvillim ekonomik nuk pa përparim dhe institucionet duhet t’i japin zhvillimit të sektorit privat dhe për të cilat duhet krijuar politika sa më të favorshme.

“Institucionet duhet shqyrtuar barrierat që kanë bizneset dhe duhet eliminuar ato. Sot Kosova nuk mund të mburret me eksportet, por mund të mburret vetëm me potencialet të cilat duhet zhvilluar dhe për tu mburrur edhe me eksporte, institucionet duhet të bëjnë më shumë për biznesin vendor”, tha Shahini.

Stavileci: Bizneset e Kosovës po prosperojnë, produktet vendore edhe në tregun evropian

Para disa kohë ka qenë e vështirë për ta mbushur shportën me prodhime vendore, sot kjo gjë është e mundur dhe për ta mbajtur këtë natyrisht që duhet punë e të gjithë neve, megjithëse ka hapësirë për përmirësime, si nga institucionet shtetërore por edhe nga sektori privat, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Stavileci i bëri në hapje të aktivitetit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar 2016”, që organizohet nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, aktivitet ky që u mbështet edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Disa biznese sot po e mbulojnë tregun e Kosovës, por kanë nisur të shpërthejnë edhe në tregjet e tjera, si në Austri, Turqi, Itali dhe ky është një tregues i rëndësishëm që bizneset tona po prosperojnë”, tha Stavileci, duke shtuar se në të kaluarën sektori i bujqësisë ka qenë i nënvlerësuar, mirëpo është ngritur me disa masa stimuluese.

Kreu i MZHE-së bëri të ditur se pas disa javëve do të nënshkruhen kontratat komerciale me investitorin amerikan në mënyrë që shumë shpejt të nis ndërtimi i TC Kosova e Re me çka pas një periudhe 20 vjeçare të harrohet një problem i cili i ka penguar bizneset dhe gjithë qytetarët e vendit tonë.

Ndërsa, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami theksoi që MTI dhe Qeveria e Kosovës mbesin të angazhuara në përmirësimin e ambientit për të bërë biznes në vend, ku përfaqësuesit e bizneseve kanë rol shumë të rëndësishëm.

“Ky angazhim është vënë re në rangimin e Kosovës në raportet ndërkombëtare si edhe në veprimet konkrete që janë ndërmarrë deri me tani si: Investimi në zonat industriale, krijimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, përmirësimin e legjislacionit, shkurtim i taksave, eliminim i burokracisë etj”, tha ajo.

“Javët e Biznesit Kosovar 2016” do të vazhdojë me aktivitete deri me 14 dhjetor në vende të ndryshme.

panairi panairi1

Të ngjashme