AKB pret në takim Unionin Afarist të Luginës, zotohen për thellim bashkëpunimi

Prishtinë | 19 Maj 2023 | 11:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Unioni Afarist i Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës ka vizituar Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku të dy organizatat diskutuan për thellim bashkëpunimi dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të mëtutjeshëm, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se Lugina e Presheveës, Bujanoci dhe Medvegja janë përkrahur nga Qeveria, por se buxheti, sipas tij, nuk ka shkuar në vende të duhura.

Shahini ka kërkuar që qytetarëve të këtyre vendeve t’u zgjidhet problemi i dokumentacioneve.

“Na vjen mirë që keni filluar aktivitetin ekonomik në Luginën e Preshevës, edhe pse keni kaluar në aktivitete të ndryshme politike. Jemi të interesuar që Lugina e Preshevës, Bujanoci dhe Medvegja të kenë zhvillim ekonomik. Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë buxhet për Luginën e Preshevës dhe kemi parë që ai buxhet nuk ka shkuar në destinacione të duhura në disa raste”. 

“Qytetarët e Preshevës shpesh kanë problem t’i marrin dokumentacionet e nevojshme nga Republika e Kosovës. Mendoj që ju si organizatë e re ekonomike, si organizatë që e mbroni interesin ekonomik, të bëni presion më shumë, bashkërisht me neve si partnerë, në institucionet e Kosovës që qytetarëve të juaj dhe bizneseve të juaja t’ju njihet kjo e drejtë”. 

“Tregu i Kosovës është i madh për Luginën por edhe ne ju shohim juve si kontributdhënës të ekonomisë”, tha Shahini.

Ndërsa,  Xhelal Mehmeti, kryetar i Unionit, tha se kanë marrë ndihmë vazhdimisht nga AKB-ja e se si union kanë synim zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Nuk është hera e parë që AKB ka treguar gatishmëri për të na ndihmuar. E keni dëshmuar shumë herë që me mendje dhe zemër jeni me, siç i themi ne, Kosovën Lindore”.

“Zhvillimi ekonomik është synimi jonë kryesor që ta përmirësojmë gjendjen e qytetarëve të Preshevës dhe për ta rritur standardin e jetës e për të hapur vende të reja pune”, tha Mehmeti.

Të ngjashme