AKP aprovon Rregulloren për monitorimin e ndërmarrjes “Trepça”

Prishtinë | 28 Kor 2016 | 15:17 | Nga

Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e sotme ka marrë vendime në lidhje me Ndërmarrjet Shoqërore në vend.

Bordi diskutoi për aktivitetet e fundit të AKP-së dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen dhe në këtë kuadër Bordi shqyrtoi planin e punës të Agjencisë për periudhën e mbetur të vitit 2016 të paraqitur nga menaxhmenti dhe pas diskutimeve e aprovoi atë. Po ashtu, diskutoi dhe e miratoi buxhetin vjetor të Agjencisë për vitin e ardhshëm 2017.

Gjatë mbledhjes, raportoi Komiteti i Auditimit i Bordit të Drejtorëve dhe doli me udhëzime për Menaxhmentin që të përgatitë Planin e Implementimit për adresimin e të gjeturave të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të Njësisë së Brendshme të Auditimit.

Një prej pikave më me prioritet për Bordin dhe menaxhmentin e AKP-së konsiderohet Trepça kur edhe pati diskutime të shumta në lidhje me këtë ndërmarrje të rëndësisë së veçantë për ekonominë e Kosovës, u shqyrtua raporti i punës së ndërmarrjes “Trepça” si dhe aprovoi Rregulloren për monitorimin e ndërmarrjes shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së.

U diskutua edhe në lidhje me kërkesat për ndryshimet e Ligjit të AKP-së, me ç’rast Komisioni i formuar nga Agjencia për këtë qëllim është duke hartuar propozime për ndryshime dhe përmirësime të përmbajtjes së ligjit, të cilat propozime do t’i dërgohen organeve qendrore vendimmarrëse.

Bordi i Drejtorëve u informua nga Komisioni për aprovim të raporteve të shpërndarjes së pagesave të kreditorëve në procesin e likuidimit dhe për zhvillimin e këtij procesi të likuidimit në periudhën e ardhshme.

Gjatë këtij takimi Bordi aprovoi raportet e pagesave për kreditorët e 11 ndërmarrjeve shoqërore me shumë rreth 250 mijë euro. Po ashtu, Bordi aprovoi raportet e Komisionit për shitjen e 28 banesave të NSh-ve tek shfrytëzuesit e ligjshëm bazuar në Ligjin në fuqi.

Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për dhënien e pëlqimit për lejimin e bartjes së pronës së NSh “Auto Moto” dhe NSh “Ina Zagreb” për nevojat e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, e paraqitur konform vendimit përfundimtar të Qeverisë dhe e miratoi këtë kërkesë.

Bordi shqyrtoi dhe aprovoi një numër të qiradhënieve të aseteve të NSh-ve. Gjithashtu shqyrtoi raportin e Komisionit përkatës në lidhje me përcaktimin e statusit të personit juridik “Llotaria e Kosovës” dhe në harmoni me Ligjin e AKP-së e liroi atë nga administrimi i Agjencisë dhe e miratoi bartjen e kësaj ndërmarrje nën administrim të Qeverisë së Kosovës.

Mbledhja e ardhshme e Bordit është caktuar për datën 31 gusht 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme