AKR në bisedime intensive për koalicion me Vetëvendosjen dhe LDK-në

Prishtinë | 15 Maj 2017 | 19:48 | Nga

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Korab Sejdiu, ka thënë se AKR në zgjedhjet e 11 qershorit edhe si e vetme s’do ta ketë ta kalojë pragun zgjedhor, por nëse disponimi qytetar ekziston që partia të shkojë në zgjedhje me koalicion parazgjedhor, atëherë mund të vendosë edhe për koalicion.

Sejdiu ka thënë se bisedimet më intensive i kanë pasur me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Jemi të përgatitur për të shkuar vet në zgjedhje, por po bisedojmë edhe me partitë të tjera dhe besoj deri nesër do të vendosim – të shkojmë vet, apo në bashkërendim me të tjerë”, ka thënë Sejdiu në Klan Kosova.

“Bisedime kemi pasur me shumë veta, por së fundmi kemi biseduar me dy parti më intensivisht – Lëvizjen Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me Vetëvendosjen duhet të shohim se a na përputhet programi ekonomik, pasi në sektor të tjerë s’kemi probleme”, është shprehur ai.

“Jemi duke punuar që dy vjet për këtë ditë – ndaj shpalljen e zgjedhjeve e kemi pritur me padurim. Sipas sondazheve dhe asaj që po reflekton po shohim se më në fund qytetarët kanë për kë të votojnë dhe AKR-ja po shihet si shpresë për Kosovën”, ka thënë Sejdiu.

 

Të ngjashme