Aksidenti fatal më 2023, mbrojtja e viktimës kërkon dënim efektiv me burgim për të akuzuarin

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca përfundimtare ndaj të akuzuarit V.G., i cili ngarkohet se në vitin 2023 goditi me veturë për vdekje këmbësorin Ferhat Bejtullahu, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesi i familjes së viktimës, avokati Emrush Kastrati, gjatë fjalës së tij përfundimtare ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënim efektiv me burgim.

Sipas Kastratit, ekspertiza e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit ka qenë e njëanshme dhe në kundërshtim me rregullat e sigurisë në komunikacion.

“Natyrisht se në këtë shqyrtim gjyqësor është nxjerrë edhe prova e ekspertit Cikashi, e angazhuar nga pala e akuzuar. Megjithatë, ekspertiza e ekspertit Cikashi ka dalë në kundërshtim të plotë me ekspertizën e ekspertit Ahmet Maxhuni. Kjo për shumë arsye, nga se ekspertiza e Cikashit ka qenë e njëanshme në vlerësimin e ekspertizës, e mbi të gjitha edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ka mundur ta mbrojë ekspertizën e tij,” tha Kastrati.

Ai shtoi se pretendimet e ekspertit të mbrojtjes bien ndesh me nenin 53 të Ligjit mbi Baza të Sigurisë në Komunikacionin Rrugor.

“Çka do të thotë kjo ekspertizë? Fakti që ai në fund, në përfundim, e pranon se është shkaktuar aksidenti, e pranon gjendjen faktike, por thotë nuk ka pasur zgjidhje tjetër i akuzuari dhe s’ka mundur me ndalë veturën e tij në rrethanat e krijuara në komunikacion. Mirëpo, ky vlerësim i ekspertit është në kundërshtim me nenin 53 të Ligjit mbi Baza të Sigurisë në Komunikacionin Rrugor, nga se neni 53 shprehimisht përcakton se vozitësi në çdo rrethanë duhet t’i përshtatë kushtet dhe rrethanat e komunikacionit rrugor me shpejtësinë e lëvizjes së veturës së tij. Prandaj, kjo dispozitë ligjore tregon se i akuzuari në momentin kritik nuk ka qenë i kujdesshëm për veprimet që është duke i ndërmarrë dhe, si pasojë e kësaj, nga pakujdesia e tij ka shkaktuar aksident komunikacioni, madje në qytet ku shpejtësia është 40 km/h. Prandaj, përgjegjësia e tij është më se evidente” tha ai.

Sa i përket qëndrimit të të akuzuarit gjatë gjithë procesit, Kastrati theksoi se mbrojtja e tij ka pasur për qëllim vetëm shmangien e përgjegjësisë penale, duke përmendur edhe mungesën e patentë shoferit në ditën kritike.

“Një mbrojtje e tillë është orientuar që nga fillimi i procedurës ndaj shmangies së përgjegjësisë penale, edhe nga deklaratat e tij të dhëna në polici, në prokurori, e aq më tepër në shqyrtimin gjyqësor mbrojtjen në heshtje, e drejtë e tij ligjore, por në një mënyrë nuk ka pasur guxim që të ballafaqohet me provat dhe pyetjet që do t’i parashtroheshin. Kjo tregon se i akuzuari me qëllim është pozicionuar ta mbrojë veten në heshtje për eventualisht t’i shmanget përgjegjësisë penale. Megjithatë, të gjitha provat dërgojnë në atë drejtim që i njëjti është përgjegjës penalisht dhe e ka kryer veprën penale. Aq më tepër, rrethanat tregojnë se i njëjti ditën kritike ka dalë në komunikacion në rrugë publike në vendin ku s’ka pasur të drejtë të lëvizë me veturë, e aq më tepër nuk ka pasur patentë shoferi,” u shpreh avokati.

Kastrati hodhi poshtë edhe arsyetimet lidhur me patentë shoferin e jashtëm, duke i quajtur ato si përpjekje për të mbuluar masat administrative.

“Arsyetimi i tij pse ka pasur ndalesë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës, arsyetimi i tij se ka pasur patentë shofer gjerman është në kundërshtim të plotë me praktikën reale. Sipas kësaj logjike, rezulton se nëse në vendin ku kryhet vepra penale të shqiptohet një masë administrative e ti mundohesh me mbuluar me një dokument tjetër, është në kundërshtim me praktikën dhe veprimin që e ka ndërmarrë. Prandaj, mbrojtjes së tij jo që nuk duhet t’i falet besimi, por duhet shikuar me rrethana rënduese ashtu siç propozoi edhe Prokurori i Shtetit,” tha ai.

Avokati vuri theksin te dëshmitë e administruara dhe domosdoshmërinë e një politike më të ashpër ndëshkimore për parandalimin e aksidenteve fatale.

“Në këtë shqyrtim gjyqësor, i nderuar gjyqtar, janë dëgjuar një sasi e dëshmitarëve dhe pala e dëmtuar Vlora Bejtullahu, e cila ka përshkruar gjendjen faktike në tërësi ditën kritike, rrethanat se si është kryer kjo vepër penale. Nga të gjitha të caktuarat, i nderuar gjyqtar, propozojmë që i njëjti të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënimi efektiv me burgim, nga se jemi në situatë kur fatmirësisht nuk kemi viktima sa i përket këtij trafiku publik. Vetëm politika ndëshkimore pak më e rënduar në këto raste mund të parandalojë kryerjen e këtyre veprave penale. Pothuajse çdo ditë patëm ndeshje me pasoja tejet të rënda e të reja, sidomos viktimat që pësojnë në trafikun publik në vendbanim, ku vëmendja e të gjithëve neve duhet të jetë tejet e lartë. Nga se, së paku në vendbanim ku kemi kufizim në qytet, duhet të kemi kujdes vitale,” përmbylli fjalën e tij.

Të ngjashme